Një fëmijë është transferuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë në Shushicë të Istogut, ku mbetën të vdekur dy persona.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha për Klankosova.tv se pacienti ka pësuar politraumë të rëndë dhe menjëherë pas pranimit i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostike.
“Fëmija është pranuar në gjendje të rëndë, me politraumë si pasojë e aksidentit në komunikacion. Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe aktualisht pacienti ndodhet nën observim në Qendrën Emergjente. Pas përfundimit të vlerësimit dhe stabilizimit të gjendjes, trajtimi do të vazhdojë në Klinikën e Mjekimit Intensiv”, ka deklaruar Syla për redaksinë.
Kujtojmë se i lënduari është nipi i Ramiz Qorraj, 69-veçarit që vdiq si pasojë e aksidentit. Viktimë në këtë aksident mbeti edhe mbesa e 69-vjeçarit, 12 vjeçe.
Spitali i Pejës jep detaje mbi gjendjen e të lënduarve nga aksidenti në Istog








