Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke argumentuar se situata paraqet rrezik për shëndetin publik. Ai deklaroi se “Prishtina është në rrezik të përhapjes së epidemive”, duke u mbështetur në të dhënat e disa zyrtarëve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike. Por çfarë thotë raporti i hartuar nga ta? Demokracia.com sjell detaje.
Më 3 shkurt, Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke deklaruar se “Ditëve të fundit kemi pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për mungesën e shërbimit me javë të tëra, veçanërisht në sistemin ‘derë më derë’. Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish. Për këto arsye, si institucion përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve, jemi të detyruar të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme”.
Por Demokracia.com, më 6 shkurt, ka kërkuar qasje në raportin e ekipit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, i cili sipas Ramës kishte konstatuar një situatë alarmante. Komuna ka lejuar qasjen dhe më 10 shkurt ka dërguar raportin në adresë të redaksisë.
Çfarë thotë raporti?
Ndërsa Rama shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 3 shkurt, raporti mban datën 6 shkurt, pikërisht ditën kur Demokracia.com kishte kërkuar qasje. Bazuar në gjetjet e tij, situata duket problematike, por jo e nivelit për të shpallur gjendje të jashtzakonshme.
Në raport nuk përshkruhet asnjë kërcënim epidemiologjik i drejtpërdrejtë, por theksohen probleme menaxheriale dhe vonesa në kontraktimin e një operatori të ri për pastrimin e qytetit. Dokumenti thotë: “Problemi kryesor lidhet me ndërprerjen e kontratës me operatorin e mëparshëm dhe mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave. Për shkak të kësaj, ka pasur rritje të mbeturinave në disa pika të qytetit, por situata është ende e menaxhueshme përmes angazhimit të kapaciteteve ekzistuese”.
Po ashtu, raporti thekson se Ndërmarrja Publike për Pastrimin “ka resurse të kufizuara, por po punon për të minimizuar efektet e kësaj situate”, ndërsa nuk përmendet ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë shëndetësor apo epidemiologjik.
A ishte i justifikuar alarmi i Ramës?
Kjo ngrit pikëpyetje mbi bazueshmërinë e vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. A është këtë një manovër politike për të shmangur përgjegjësinë për krizën menaxheriale.
Për më tepër, tre zyrtarët që kanë hartuar raportin nuk kanë lidhje me shëndetin publik, por janë zyrtarë komunalë.
- Shkurte Zariqi – Zyrtare e lartë për menaxhimin e mbeturinave
- Lumnije Hyseni – Zyrtare për menaxhimin e mbeturinave
- Donat Gashi – Zyrtar mbështetës
Institucionet tjera dheshin
Kryetari i Komunës mund të shpallë emergjencë mjedisore, por kjo duhet të jetë e koordinuar me Agjencinë e Menaxhimit të Emerxhencave dhe të ndjekë procedurat ligjore. Demokracia.com ka dërguar pyetje këtij institucioni për të kuptuar nëse Rama ka pasur detyrim të koordinohej me ta, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Po ashtu, vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mund të konfirmojë rrezikun e ndonjë epidemie. Edhe ky institucion nuk ka kthyer ende përgjigje në pyetjet: “A vlerëson IKSHPK se ekziston rreziku i përhapjes së ndonjë pandemie si pasojë e mbeturinave në Prishtinë?”, “Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga kryetari i Komunës, a keni ndërmarrë ndonjë veprim?”
Rama ka paralajmëruar një konferencë për media nesër për të folur mbi këtë situatë. Mbetet për të parë nëse do të ofrojë fakte më të forta për vendimin e tij ose nëse do të vazhdojnë pikëpyetjet mbi motivet e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. /Demokracia.com/
Raporti i plotë:
Lexo edhe:
Kryetari i Komunës së Prishtinës shpalli gjendje të jashtëzakonshme, a e shkeli Kushtetutën?