Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUV) ka bërë të ditur se është zbuluar prania e bakterit salmonela spp. në një ngarkesë me mish pule të importuar nga Rumania.
Sipas njoftimit të AUV-së, rasti është identifikuar pas një kontrolli të kryer në bazë të njoftimit nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF). Gjatë inspektimeve, është konstatuar se në sasinë prej 27.7 kilogramë mish pule nga një llot i caktuar, është gjetur prania e bakterit.
Menjëherë pas konstatimit, AUV-i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, duke asgjësuar të gjithë sasinë e ndotur në përputhje me procedurat dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Institucioni thekson se po monitoron me kujdes situatën, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin e mishit, për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.









