Gjendet një mjet i dyshuar i pashpërthyer në Ferizaj, KFOR dhe FSK dalin në vendin e ngjarjes

Një mjet i dyshuar i pashpërthyer është zbuluar të mërkurën në mëngjes në Ferizaj, gjatë punimeve të zakonshme në terren. Rasti është raportuar rreth orës 10:00 nga një qytetar i cili ishte duke kryer gërmime kur ka hasur në objektin e dyshimtë.

Policia e Kosovës ka reaguar menjëherë duke siguruar perimetrin e vendit të ngjarjes për të garantuar sigurinë publike.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për deminim të KFOR-it dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë ndërhyrë me profesionalizëm dhe kanë tërhequr mjetin e dyshuar pa ndonjë incident.

“Ferizaj / 14.05.2025 – 10:00. Është raportuar se ankuesi mashkull kosovar gjersa ishte duke kryer disa punime (gërmime) ka hasur në një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Njësitë policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i KFOR dhe FSK kanë tërheq mjetin e dyshuar nga vendi i ngjarjes.”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.