Gjendet afër vijës kufitare Kosovë-Serbi personi i zhdukur në Kllokot

Është lokalizuar dhe gjetur personi i raportuar si i zhdukur dje në komunën e Kllokotit.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se lokalizimi dhe gjetja e personit të zhdukur u bë falë bashkëpunimit mes policisë dhe pjesëtarëve të FSK-së.

“Personi është gjetur sot në orët e pasdites në një zonë pyjore afër vijës kufitare Kosovë-Serbi në fshatin Kokaj dhe menjëherë pas gjetjes, ai është trajtuar nga ekipet mjekësore dhe sipas vlerësimeve gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe e mirë”, tha Osmani për Klankosova.tv.

Policia tha se i falënderon të gjitha njësitë e angazhuara dhe qytetarët që ofruan informacione të vlefshme për gjetjen e personit të zhdukur.