Gjenden në Prishtinë mbetje mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se pas dy ditëve të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, janë gjetur mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime dhe për procesin e identifikimit.

“Pas dy ditëve të operacioneve të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX, me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kanë lokalizuar mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe procesin e identifikimit”, ka njoftuar Haxhiu.

“Ky rezultat është arritur falë një pune të gjatë dhe të koordinuar analitike nga institucionet përkatëse, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Aktivitetet në kuadër të kërkimit të personave të zhdukur do të vazhdojnë në lokacione të tjera gjatë javëve në vijim”, ka thënë ajo.