Raporti i GI-TOC për vitin 2025 thekson sulmet e qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë së Shtetit, mediave, shoqërisë civile dhe partive opozitare në Kosovë.
Inciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC) ka publikuar raportin për Kosovën 2025, në të cilin, në pjesën që trajton resiliencën e vendit, ka përmendur edhe ndikimin e qeverisë mbi institucionet e pavarura në vend përmes asaj që e ka cilësuar “fushatë të koordinuar” që synon të minojë pavarësinë e tyre.
“[…] qeveria ka nisur një fushatë të paprecedentë dhe të koordinuar – sikurse në rrjete sociale ashtu edhe përmes deklaratave publike – duke kritikuar Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e projektligjeve, prokurorinë për hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve të lartë qeveritarë, dhe gazetarët, shoqërinë civile dhe partitë opozitare për shprehjen e qëndrimeve kundërshtuese”, thuhet në raportin të cilin e ka siguruar Albanian Post.
Në raportin në të cilin ka pasur qasje AP është theksuar se mungesa e transparencës brenda ekzekutivit dhe legjislativit mbetet pengesë serioze për funksionimin efektiv të institucioneve, besimin e publikut dhe llogaridhënien e zyrtarëve ndaj qytetarëve.
“Mos-transparenca brenda degëve ekzekutive dhe legjislative mbetet një problem domethënës, i cili karakterizohet edhe nga një mbikëqyrje e kufizuar parlamentare mbi vendimet e qeverisë. E akuzat për korrupsion vazhdojnë të minojnë besimin e publikut, ndërsa rastet e profilit të lartë që përfshijnë zyrtarë qeveritarë i thellojnë edhe më tej shqetësimet. Edhe pse ekzistojnë mekanizma ligjorë për të luftuar korrupsionin, zbatimi i tyre mbetet i paqëndrueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë”.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar nuk e përfshin zyrtarisht Kosovën në renditje. Por, vendi i vogël ballkanik ka kaluar nëpër të njëjtin nivel vlerësimi dhe shqyrtimi sikurse të gjitha 193 shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.











