Gërxhaliu: Kur i sheh pensionet e pagat, e kupton se ku është Kosova

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, kritikoi qasjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ndaj parashikimeve ekonomike, duke rikujtuar se vlerësimet pozitive për Greqinë në të kaluarën nuk e ndaluan krizën e thellë ekonomike që çoi drejt falimentimit të shtetit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu, theksoi se FMN po ndjek një qasje të ngushtë në Kosovë, duke u fokusuar vetëm në stabilitetin bankar dhe makrofiskal, ndërsa injoron faktorë të tjerë të rëndësishëm si papunësia, mungesa e investimeve të huaja dhe korrupsioni.

“Parashikimet e FMN-së se Greqia do të ketë rritje ekonomike pozitive ndër vite e  çuan këtë shtet drejt falimentimit. Parametrat ekonomikë në Greqi qe nga viti 2003 kanë qenë mjaft shqetësues, sidomos sa i përket punësimit, investimeve të huaja, korrupsionit, stagnimit ekonomik dhe rënies së eksporteve. Ndihmat nga BE-ja dhe konsumi apo shpenzimet dhe korrupsioni i përcjellë me inflacion ishin shtyllat e vetme që funksiononin në atë kohë, derisa shteti grek nuk u gjend para falimentimit dhe u nevojit ndërhyrje emergjente e BE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare për të shpëtuar”, tha Gërxhaliu, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, Kosova po përballet me një situatë të rëndë ekonomike dhe sociale, të ndikuar edhe nga masat ndëshkuese të BE-së, emigrimi masiv, varësia nga importet dhe rritja e kredive konsumuese.

“Në Kosovë misioni i FMN-së bazohet vetëm në monitorimin e stabilitetit bankar dhe makro fiskal që është qasje e gabuar. Kosova ka nevojë për një monitorim horizontal, ku analizohen edhe parametra të tjerë ekonomikë dhe aty të jepen rekomandime dhe parashikime reale për rritje ekonomike. Kosova sot është nën masa apo sanksione ekonomike nga Bashkimi Evropian, që dëmtojnë në aspektin ekonomik, politik, social, integrues dhe psikologjik. Kosova ka mungesë të stabilitetit politik që e ngufat zhvillimin dhe perspektivën ekonomike. Kosova ka përqindjen më të ultë të investimeve të huaja, duke anashkaluar diasporën”, tha ai.

Gërxhaliu theksoi se është e domosdoshme një analizë më e thellë dhe gjithëpërfshirëse për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të shmangur iluzionet për gjendjen reale në Kosovë.

“Kosova është shtet i varur nga importi, ku në vitin 2024 kemi importuar mbi 6.3 miliardë euro dhe krahas kësaj kemi importuar edhe inflacion të heshtur, ku jetën e qytetarëve e bënë më të shtrenjtë sesa në Evropë. Nga Kosova po ikin të rinjtë në heshtje që është një ikje më e rrezikshme sesa eksodi. Që nga fillimi i liberalizimit të vizave, Kosovën e kanë braktisur 170.000 qytetarë. Sektori privat është i ballafaquar me presione politike të papara dhe me mungesë të dialogut publiko- privat. Korrupsioni dhe tenderët njëburimor janë rekord dhe po vazhdojnë të rriten”, shtoi ai.

“Projektet publike dhe implementimi i tyre janë në pikën kritike dhe po ngufatin sektorin privat. Rritja e kredive bankare është shqetësuese, kreditë konsumuese janë në rritje të madhe dhe kur i shtohet fakti i shfrytëzimit të overdraftit nga qytetarët e paraqet realitetin ekonomik të Kosovës.  Kur e analizoni pagën minimale, pagën mesatare dhe pensionet e kuptoni se ku është Kosova në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian. Me këta indikatorë ekonomikë dhe pikërisht vetëm disa prej tyre që janë aktualisht në Kosovë të thoni se Kosova ka zhvillimin më të madh ekonomik në Evropë nuk i bëni nder as Kosovës e as qytetarëve të saj. Kosova ka nevojë për kritikë konstruktive që është në funksion të zhvillimit e jo për parashikime të segmentuara që më shumë irritojnë sesa që ndihmojnë”, përfundoi ekonomisti.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar të enjten se Kosova pritet të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë për vitin 2025, sipas projeksioneve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Murati theksoi se ky vlerësim pozitiv vjen pas përmbylljes së suksesshme të një programi dyvjeçar reformash të dakorduara me FMN-në. Ai tha se gjatë muajit të kaluar ka pritur në Prishtinë dy delegacione të rëndësishme ndërkombëtare, zv. presidentin e Bankës Botërore, Akihiko Nishio, dhe misionin e FMN-së të udhëhequr nga David Amaglobelli.

Sipas ministrit në detyrë, të dyja institucionet kanë përgëzuar Kosovën për performancën ekonomike dhe për maturinë fiskale që ka treguar në vitet e fundit.

“Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por herët a vonë do të vërehen”, u shpreh Murati, duke shtuar se Kosova ende nuk e ka arritur potencialin e plotë, por përkundër sfidave do të vazhdojë drejt progresit.