Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike e Austrisë në Kosovë kanë prezantuar “Barometrin e Ekonomisë së Kosovës – Anketa e bizneseve austriake 2017-2018”, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se rezultatet e anketës edhe një herë tregojnë se jostabiliteti politik, mungesa e sigurisë ligjore, dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar janë pengesat për rritjen e investimeve direkte në vend.
“Rezultatet e kësaj analize janë të rëndësishme sepse duhet të jetë udhërrëfyes për përmirësimin e partneritetit në mes të të dyja vendeve. Nuk mund të ketë zhvillim të proceseve integruese pa zhvillim ekonomik, i cili është në funksion të përmirësimit të imazhit. Të gjitha hapat ekonomik po bien nën hijen e agjendës politike e cila ka sjellë jostabilitet”, tha ai.
Gërxhaliu tha se Austria është njëri ndër vendet të cilat vazhdimisht e kanë mbështetur Kosovën, dhe tregoi se ky shtet në ekonominë e vendit merr pjesë me 250 milion investime direkte, me mbi 100 firma me kapital autriak dhe 30 përfaqësi.
Ai porositi që prioritet i të gjithëve duhet të jetë zhvillimi ekonomik në mënyrë që këto shifra të përmirësohen pasi sipas tij, në rajon ky shtet investon miliarda euro.
“Zhvillim ekonomik duhet të jetë prioritet i të gjith neve në mënyrë që të përmirësojmë këto shifra . Është për të ardhur keq që të gjithë hapat ekonomik po bien nën hijen e agjendës politike e cila ka sjellë jostabilitet”, theksoi Gërxhaliu.
Peter Hasslacher nga Oda Ekonomike e Austrisë, tha se ende ka hapësirë për rritje të bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve.
“Ka shumë tema se çfarë mund të bëhet për t’i avancuar këto marrëdhënie dhe për këtë arsye jemi këtu për të shikuar se çfarë mund të bëjmë që t’i rrisim eksportet e Kosovës në Austri dhe anasjelltas. Por edhe këtu mund të bëhet më shumë sepse firmat austriake kanë thënë se dëshirojnë stabilitet politik, siguri ligjore dhe fuqi punëtore të kualifikuar dhe shkolluar. Edhe pse ka tema që nuk mund të zgjidhen menjëherë, e mira është që mund të flitet për to dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne”, tha ai, duke shtuar se në një ekonomi moderne fuqia punëtore e kualifikuar është vendimtare, raporton Ekonomia Online.
Të gjeturat e anketës tregojnë se atraktiviteti i Kosovës për investime të huaja vlerësohet si mesatar. Sipas bizneseve austrike tri temat më të rëndësishme për të nxitur interesin e bizneseve, dhe ku janë të domosdoshme reformat, janë: stabiliteti politik, siguria ligjore dhe punëtorët e kualifikuar.
Për vitin 2018, 50 për qind e bizneseve austriake kanë deklaruar se presin të ardhura më të larta, 50 për qind e tyre deklaruan se do ti rrisin investimet dhe 37 për qind e tyre thonë se do të rrisin fuqinë punëtore.
Bizneset austiake presin nga Qeveria e Kosovës stabilitet politik, siguri ligjore dhe mbrojtje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës, dhe luftë kundër korrupsionit.