Gërvalla takon Fidanin që dje nënshkroi Bordin e Paqes, por hesht për nismën e Trumpit

Një ditë pas nënshkrimit nga presidentja Vjosa Osmanit për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, kryediplomatja në detyrë Donika Gërvalla është takuar në Stamboll me homologun e saj turk, Hakan Fidan, i cili po ashtu nënshkroi të enjten nismën e presidentit Trump.

Por, njëlloj si kryeministri në detyrë Albin Kurti, as ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme nuk e ka zënë në gojë nënshkrimin nga presidentja të Bordit për Paqe.

Në një njoftim për takimin në rrjetet sociale, Gërvalla tha se me Fidanin ka diskutuar çështjet bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, z. Hakan Fidan, në Stamboll zhvilluam një takim bilateral në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin”, tha Gërvalla.

Gërvalla njoftoi se e ka falënderuar kryediplomatin turk për ftesën dhe mikpritjen.

“Falënderova Ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe rolin e saj në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme.

Asnjë zyrtarë i lartë i qeverisë nuk e ka komentuar, as përshëndetur nënshkrimin e Bordit të Paqes, përfshirjen në të cilën nismë e nënshkroi në emër të Kosovës të enjten presidentja Vjosa Osmani.

Osmani tha se pas nënshkrimit, marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim. /Paparaci.com