Gërvalla takohet me homologun e saj në Stamboll: Riafirmojmë orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik

Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kështu ka thënë ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Gërvalla bëri të ditur se me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, në Stamboll kanë zhvillua një takim bilateral në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.

“Gjatë takimit me Ministrin Fidan theksova se Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin ndaj paqes së qëndrueshme, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Po ashtu, vura në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt”, ka shkruar ajo.

Tutje ministrja në detyrë u shpreh se: “Falënderova Ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe rolin e saj në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.