Gërvalla takohet me Backes, zotohen për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti sot në takim ministren e Mbrojtjes së Dukatit të Madh të Luksemburgut, Yuriko Backes.Gjatë takimit ato u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, transmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit nga MPJD, takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Luksemburgut, të ndërtuara mbi bashkëpunim të ngushtë në fusha kyçe si politika e jashtme, siguria, mbrojtja, reformat institucionale dhe zhvillimi ekonomik.

“Gjatë këtij takimi, u ritheksua përkushtimi i ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit strategjik, duke vlerësuar veçanërisht kontributin e çmuar të trupave luksemburgase si pjesë e Kontingjentit të Beneluksit në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë” thuhet në njoftim.

Ministrja Gërvalla thuhet se shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut në rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik, duke përfshirë mbështetjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe nismat e përbashkëta në kuadër të Bashkimit Evropian.

Tutje theksohet se ministrja Gërvalla dhe ministrja Backes u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

The post Gërvalla takohet me Backes, zotohen për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional appeared first on Kosovapost.net.