Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka marrë pjesë në përmbylljen e punëtorisë treditore për diskutimin dhe finalizimin e pakos së projektligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, një nga proceset më të rëndësishme reformuese në sistemin e drejtësisë në vend.
Gjatë tri ditëve të diskutimeve, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë shqyrtuar dhe avancuar pakon e projektligjeve që synojnë forcimin e integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit në drejtësi.
Para të pranishmëve, ministrja Gërvalla tha se shumë shpejt do të procedohen për miratim në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës gjashtë projektligjet që rrjedhin nga ky zotim i përbashkët mes krerëve të drejtësisë.
Ministrja Gërvalla tha se finalizimi i kësaj etape të reformës do të ndikojë në mënyrë thelbësore në forcimin e palëkundur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, që ka në epiqendër qasjen në drejtësi për qytetarin dhe integritetin e profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të praktikave negative të pandëshkueshmërisë.
“Rrjedhimisht, përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre”, tha ministrja Gërvalla, njofton Zyra e Kryeministrit.
Tutje, ajo tha se kjo nismë, e filluar në vitin 2023, ka rezultuar me përgatitjen e gjashtë projektligjeve që kanë të bëjnë me kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, sistemin disiplinor dhe kontrollin e pasurisë, si dhe me Akademinë e Drejtësisë dhe nëpunësit civilë të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
Në fund, ministrja Gërvalla shprehu përkushtimin për finalizimin dhe jetësimin e kësaj reforme, për të garantuar një sistem me standarde të reja profesionale, në shërbim të çdo qytetari.










