Krerët e partisë Guxo e promovojnë vazhdimisht selinë qendrore të partisë së tyre, por vazhdojnë të mos e deklarojnë asnjë shpenzim për atë zyre në KQZ. Raportet e dorëzuar në KQZ e deshmojnë një gjë të tillë.
Donika Gërvalla që disa mbrëmje po zhvillon bashkëbisedime me kandidatët e partisë së saj për deputetë. Këto bashkëbisedime që po transmetohet “live”” në profilin e saj në “Facebook”, po zhvillohen në seli të partisë. Mbrapa këtyre diskutimeve shfaqet një transparent i madh ku shkuan “Zyra Qendrore”.

Ndonëse promovohet publikisht kjo zyre, partia Guxo, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, nuk deklaron në KQZ asnjë shpenzim në dy vitet e fundit.
Në raportet e dorëzuar në KQZ për vitin 2023 dhe 2024 kjo parti nuk ka pasqyruar asnjë shpenzim.
Një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin dhe për këtë gjë edhe është dënuar nga KQZ-ja.
Vitin e kaluar gazeta Nacionale ka raportuar për këtë shkelje ligjore të partisë Guxo.
Nacionale kishte raportuar se gjatë auditimit të raporteve financiare të vitit 2023, auditorët kanë gjetur se partia politike Guxo nuk ka deklaruar asnjë aktivitet financiar.
Kjo dëshmohej nga raportet e Guxo-së që ishin dorëzuar në KQZ.
“Pasqyrat financiare nuk paraqesin asnjë aktivitet financiar për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2023 përkundër faktit që subjekti politik ka aktivitet të zhvilluar përgjatë vitit. Si auditorë, ne mbështesim në të dhënat financiare për të vlerësuar drejtësinë e pasqyrave financiare, duke përfshirë plotësinë, saktësinë dhe pajtueshmërinë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar. Në këtë rast, mungesa e aktivitetit financiar na pengon nga kryerja e procedurave thelbësore të auditimit dhe i bën pasqyrat financiare të pavlefshme nga informacioni thelbësor i nevojshëm për një auditim ”, është thënë në opinionin e auditorëve.

Për këtë arsye, Zyra për Regjistrim, Certifikim, dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike në Komision Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), më 12 korrik, e kishte gjobitur me 4 mijë euro partinë e Pecit dhe Gërvallës.
Të njëjtën gjë kjo parti e ka bërë edhe në vitin 2024.
Ndonëse e ka dhënë adresën e zyrës, ajo nuk ka paraqitur asnjë shpenzim.
“Subjekti politik ka deklaruar adresën e selisë qendrore në rrugën “Tringë Smajli”, hyrja 1, numër 3, Prishtinë. Megjithatë nuk ka paraqitur asnjë kontratë qiraje, dëshmi për shpenzimet të zyres, flet poseduese apo dokumentacion për donacion lidhur me këtë hapësirë. Në mungesë të dokumentacionit nuk ishte e mundur të konfirmohet ekzistimi dhe shfrytëzimi i kësaj adrese”, thuhet në raportin e auditimit të KQZ për vitin 2024, i cili ishte publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj.

Në pasqyrat financiare nuk ishte raportuar asnjë shpenzim.
“Pasqyrat financiare të subjektit politik për vitet e përfunduar me 31 dhjetor 2024 dhe 2023 nuk reflektojnë asnjë aktivitet financiar, përveç gjobave të shqiptuara nga KQZ, pavarësisht se subjekti ka pasur aktivitete te zhvilluar gjatë këtyre periudhave. Mungesa e të dhënave financiare për këto transaksione e bën të pamundur përfundimin e procedurave të nevojshme të auditimit”, thuhet në këtë raport.
Ligjin për Financimin e Partive Politike i obligon të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë që për çdo vit të deklarojnë raportet financiare të shpenzimeve vjetore. Sipas ligjit, ato janë të obliguara t`i deklarojnë edhe të donacioneve që pranojnë.
Më pas, këto raporte auditohen çdo vit nga auditorët të cilët përzgjidhen me tender nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.












