Pa ndonjë fuqi politike në vendin e tij, Behgjet Pacolli u bë meritor për njohjen e shtetësisë që Kosova e mori sot nga Kenia sot. Erdhi pas më shumë se katër vjet pritje. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla nuk arriti ta shënojë një sukses në këtë drejtim, ndonëse ka folur vazhdimisht për “hapje të marrëdhënieve të reja” e “lëvizje të shumta me shumë shtete”. Kur u pa se mandati i Qeverisë aktuale do të përfundonte pa ndonjë njohje të re, kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka dhënë premtime për to.
Për mbi katër vjet Kosova priti njohjen e radhës. Kenia, një shtet i rëndësishëm afrikan, e pranoi sot pavarësinë dhe sovranitetin e vendit ballkanik, në saje të një angazhimi të ish-presidentit Behgjet Pacolli, sipërmarrësit që aktualisht nuk përfaqësohet politikisht në Kuvend, megjithëse drejton një parti të vogël, Aleancën Kosova e Re.
“Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!”, shkroi ai të mërkurën në një postim në Facebook.
Ai kujtoi për çdo rast se kjo “nuk erdhi rastësisht”. Tha se për të punoi gjatë, “me përkushtim e sakrificë”.
“Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”.
Ruto, cili u pa duke e nënshkruar letrën e njohjes në zyrën e tij i rrethuar nga Pacolli dhe këshilltari i tij, deri në publikimin e këtij teksti nuk bëri ndonjë njoftim në rrjetet e tij sociale për Kosovën, por emri i tij u bë tagg në postimin e Pacollit. Pak a shumë, në të njëjtin interval kohor, shefi i shtetit të Kenisë kishte publikuar një njoftim për një telefonatë me Sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio.
Këtë meritë ia njohu edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila më vonë konfirmoi njohjen, duke thënë se Kenia e ka dërguar zyrtarisht vendimin për njohjen e Kosovës.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, shkroi ajo në Facebook, pasi tha se përgjatë këtyre viteve edhe ajo vetë ka zhvilluar “disa takime të rëndësishme” me presidentin e Kenias, Ëilliam Ruto e se Kosova po ecën “në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare”.
Në proklamatën e njohjes shtetërore të Kosovës, Ruto shkruan se për marrjen e këtij vendimi, pati parasysh, përveç tjerash “se më shumë se gjysma e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara i kanë dhënë njohje Republikës së Kosovës”, se “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillimor mbi çështjen e përputhshmërisë me të drejtën ndërkombëtare të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, më 22 korrik 2010, arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e shkelte të drejtën ndërkombëtare”. Shteti afrikan vlerëson se “korpusi i së Drejtës Ndërkombëtare në favor të njohjes së shtetësisë së Kosovës është kristalizuar”.
Mbi katër vjet, asnjë njohje
Në rrjedhat e shpejta gjeopolitike, Kosova qëndroi pa asnjë njohje të re për mbi katër vjet.
Izraeli ishte shteti i fundit që e njohu Kosovën. Në vitin 2020. Ishte pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.
Më pas, vendi do të udhëhiqej nga një qeveri e shumëpritur, e zgjedhur pas një fitore të madhe në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, e drejtuar nga Albin Kurti.
Në politikën e jashtme, sipas tij, Qeveria ka bërë më shumë sesa pritej këto katër vjet.
Kurti përmendte “sukseset” në politikën e jashtme në një seancë të Kuvendit në dhjetor të vitit të kaluar ku po diskutohej për qeverisjen katërvjeçare, ndërsa thosht se partia e tij nuk kishte premtuar njohje të reja për shtetin.
“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja, por duhet ta kuptoni edhe një gjë: as liberalizimin e vizave, as njohjet e reja nuk i kemi premtuar në fushatë. Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi. Pra, neve duhet të na matni krahasuar me zotimet tona që kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe në programin qeveritar më pastaj”, shprehej ai, me një dozë të dukshme nervozizmi me deputetët opozitarë që kishin shtruar pyetje të njëpasnjëshme për këtë çështje.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla mbahet në mend për një deklaratë në një intervistë në T7 në nëntor të vitit 2021, kur po fliste për njohjet e reja që s’po vinin.
“Kemi hapje të marrëdhënieve të reja me shtete me të cilat deri dje nuk jemi ulur as në tavolinë”, deklaronte ajo. Ndërsa e pyetur “me cilat, për shembull?”, shprehej kështu: “Po kemi… tjetër herë…”.
Në një tjetër rast ajo përmendte fushatën agresive të Serbisë dhe Rusisë “për t’i penguar njohjet e reja”, por thoshte se ka “lëvizje të shumta me shumë shtete”.
Kur mandati qeverisës po i përfundonte gati pa siguruar ndonjë njohje për vendin, Gërvalla deklaronte në tetor të vitit të kaluar se “njohjet nuk varen vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë konstelacione të tjera”.