Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, gjatë pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik, duke e vlerësuar këtë si orientim strategjik dhe rezultat të reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike.
Në fjalën e saj, Gërvalla tha se Kosova ka shënuar përparim të prekshëm në një sërë fushash, përfshirë rritjen e qëndrueshme ekonomike, rritjen e investimeve të huaja, të hyrat buxhetore si dhe avancimin e agjendës evropiane përmes dorëzimit të Agjendës së Reformës 2024–2027 dhe përgatitjeve për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, ajo ngriti shqetësime serioze lidhur me zhvillimet që, sipas saj, po e cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ministrja Gërvalla e quajti atë një akt të hapur agresioni ndaj Kosovës, të kryer nga një grup paramilitar të organizuar, financuar dhe trajnuar nga shteti serb. Ajo e cilësoi këtë sulm si kërcënim serioz për paqen në gjithë rajonin.
Ajo gjithashtu foli për sulmin e fundit ndaj infrastrukturës kritike të vendit, konkretisht në kanalin Ibër-Lepenc, duke e konsideruar një tjetër veprim destabilizues dhe kërcënues për sigurinë. Një tjetër çështje që ngriti ishte arrestimi i ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, që sipas saj, është një konfirmim i mëtejmë se shteti serb qëndron pas sulmit të Banjskës.
Ministrja Gërvalla paralajmëroi se mosreagimi i duhur dhe i unifikuar i faktorit ndërkombëtar ndaj këtyre ngjarjeve rrezikon themelet e vetë politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në fund, ajo theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, por kërkoi qasje të barabartë, përgjegjësi të ndërsjellë dhe respekt për parimet demokratike si kusht për një paqe të qëndrueshme dhe integrim të suksesshëm në rajon.
The post Gërvalla në Ministerialin e SEECP: Kosova e përkushtuar për integrimin euroatlantik, Serbia paraqet kërcënim për paqen në rajon appeared first on Kosovapost.net.