Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla, është nisur për në Luksemburg për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Shengenit, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Xavier Bettel.
“Ceremonia do të mbahet të shtunën, më 14 qershor 2025, në Shengen, vend simbolik në historinë evropiane, ku katër dekada më parë u hodhën themelet e lëvizjes së lirë ndërmjet shteteve të Evropës. Në këtë ngjarje, në prani të Lartmadhërisë së Tij, Dukës së Madh të Luksemburgut Henri, do marrin pjesë përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, shteteve të shumta evropiane, shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Bëhet me dije se në kuadër të kësaj ngjarjeje do të përurohen Muzeu Evropian i Shengenit dhe anija e restauruar Princesse Marie-Astrid Europa, vendi ku, më 1985, u nënshkrua Marrëveshja historike që shënoi fillimin e zonës së lëvizjes së lirë brenda Evropës.
Pjesëmarrja e Ministres Gërvalla në këtë përvjetor jubilar nënvizon përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj vlerave evropiane, integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkufitar që përfaqëson në thelb Marrëveshja e Shengenit.
The post Gërvalla në Luksemburg për 40-vjetorin e Marrëveshjes së Shengenit appeared first on Kosovapost.net.