Gërvalla na ftoi të mos u besojmë qëndrimeve të ambasadorëve: “Të mos mbetemi peng e kabllove diplomatike”

Gafat dhe qëndrimet kontraverze e karakterizuan pothuajse tërë mandatin katërvjeçar të Donika Gërvallës në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Megjithatë, ajo që artikuloi mbrëmë – deklaratë skandaloze që na i shpëtoi vëmendjes – shënoi kulmin: “Jo gjithçka që vjen në Kosovë si qëndrimi i një shteti është vërtetë edhe qëndrimi i kryetarit të një shteti”; “të mos mbetemi peng e kabllove diplomatike.”

Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ajo bëri thirrje për t’i parë me dyshim qëndrimet e ambasadorëve në Kosovë. Kjo pasi, sipas logjikës së Gërvallës, diplomatët nuk janë gjithmonë zëdhënës legjitimë të politikave zyrtare të shteteve që përfaqësojnë – një thirrje e hapur për të relativizuar deklaratat dhe mesazhet e ambasadorëve.

[Minuta 12:08] Ne degjojmë opinione të ndryshme varësisht se me cilin nivel të cilit shtet diskutojmë. Jo gjithçka që vjen në Kosovë si qëndrimi një shteti është vërtetë edhe qëndrimi i kryetarit të një shteti. Nganjëherë, sistemi… diplomacia, sjellë mesazhe të cilat jo gjithmonë vijnë nga kryeqyteti por të cilat vijnë si një vlerësim i atyre që janë këtu në vend”, tha ajo.

Në vijim të intervistës, Gërvalla u përpoq të justifikojë qëndrimin si një strategji të re të “komunikimit direkt me kryeqytetet”, pa ofrouar asnjë shembull që do të dëshmonte se qasja e pretenduar e re e diplomacisë ka prodhuar ndonjë rezultat të matshëm.

Ajo kritikoi varësinë nga ajo që e quajti “kabllo diplomatike”, teksa e paraqiste veten si protagoniste të një diplomacie më të sofistikuar:

“Çfarë ne kemi bërë gjatë këtyre katër viteve është që nivelin e komunikimit nga ambasadat në Kosovë e kemi ngritur me komunikim direkt me shtetet tona partnere aleate por edhe me shtete të tilla jonjohëse. Sepse është shumë e rëndësishme të mos mbetemi peng e kabllove diplomatike”, tha ajo.

Më tej, Gërvalla flet për rëndësinë që zëri i Kosovës të “përçohet atje ku duhet dëgjuar”, ndërkohë që vendi vijon të mbetet nën masa ndëshkuese të vendosura nga vetë aleatët ndërkombëtarë – pasojë direkte e mungesës së koordinimit dhe mosrreshtimit të veprimeve me partnerët strategjikë.

“Por që vërtetë zërin e Kosovës ta përçojmë atje ku duhet dëgjuar dhe në të njëjtën kohë të ndërgjegjësojmë partnerët tanë që rajoni ynë është duke u ballafaquar me probleme serioze të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm përsëritjen e fjalive të zakonshme”, tha Gërvalla.