Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, takimin me mërgimtarë në Norvegji e ka shfrytëzuar për të sulmuar opozitën.
Gërvalla ka thënë se për shumë vite, mërgata u trajtua me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit.
Sipas fjalëve të saj ish-qeveritë jo vetëm që kishin degraduar diplomacinë, por edhe kishin përçarë, përbuzur e përçmuar mërgatën ngado që kishin shkuar.
Ajo ka thënë se takimet e Kurtit me mërgatën po i shqetëson ata që siç thotë kryediplomatja degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën.
Gërvalla ka pretenduar se Qeveria vetëm po bën bashkëbisedim me diasporën, e nuk po flet për “lidhje biznesore, familjare, parti politike apo interesa personale”.
“Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon.
Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës pak e nga pak, por në mënyrë të pakthyeshme, po ua kthejmë rolin e tyre të vërtetë, atë të shtëpisë së madhe dhe derës së hapur për të gjithë mërgimtarët tanë. Ky është realiteti i ri me të cilin duhet të mësohen sa më parë ata që diplomacinë dhe ambasadat e Kosovës ishin mësuar t’i shohin dhe shfrytëzojnë vetëm në funksion të interesave të tyre personale dhe klanore.
Sa më shumë forcojmë lidhjen e Kosovës me mërgatën dhe diasporën e saj, aq më shumë fuqizohet edhe Kosova, por edhe pozicioni i saj në botë. Dhe nuk ndalemi në këtë mision”, shkruan Gërvalla ndër të tjera.
Reagimi i Gërvallës vjen pasi gjatë ditës së sotme, Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot, në një konferencë për media, i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe Ministres së Punëve të Jashtme të mos i përdorin Ambasadat për qëllime partiake e fushatë elektorale.
“Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake, ka thënë Çitaku.
Sekretarja e PDK-së ka shtuar se Qeveria e Kosovës po tenton që të kamuflojë axhendën partiake si punë zyrtare qeveritare , por sipas saj qëllimi i tyre i vërtetë është mëse i dukshëm.