Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i është gëzuar certifikimit të rezultatit zgjedhor në Këshillin Prokurorial për zgjedhjen e prokurores Elza Bajrami-Kastrati si anëtare e Këshillit.
Përmes një reagimi në Facebook, Gërvalla ka thënë se reforma në KPK është duke shkuar drejtë zbatimit të plotë.
“Megjithatë, një super lajm sot, reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës drejt zbatimit të plotë. Sot është certifikuar anëtarja e re e KPK-së nga radhët e prokurorive themelore, për ta sjellë Këshillin në 6 nga gjithsej 7 anëtarë sa duhet të ketë KPK. Ky hap është rezultat i ndryshimeve reformuese ligjore, konkretisht Ligjit Nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe pjesë e procesit të zbatimit të reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka thënë Gërvalla në reagimin e saj.
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur procedurat edhe për zgjedhjen e anëtarit të ri dhe të fundit në KPK për të kompletuar reformat sipas ligjit të ri.
“Ditë me parë Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurat për ta zgjedhur edhe anëtarin/en e mbetur jo prokuror/e, në mënyrë që e tëra të kompletohet në përputhje me synimet e reformës. Ky veprim funksionalizon tutje punën në KPK. Padyshim se ky është një zhvillim pozitiv që tregon se reforma po zbatohet, me qëllim të forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit në tërë sistemin prokurorial”, ka thënë ajo.










