Gërmime për të pagjeturit, prokurori Morina: Një dëshmitar ka treguar se si e ka varrosur një person brenda perimetrit në Burgun e Dubravës

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë filluar sot gërmimet brenda hapësirës së Burgut të Dubravës, në përpjekje për të zbuluar mbetjet mortore të një personi të zhdukur që nga koha e luftës ose menjëherë pas saj në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina para mediave ka treguar se si një dëshmitar e ka varrosur trupin brenda perimetrit të burgut të Dubravës.

“Jemi në një lokacion në vendin e ngjarjes, në vendin e quajtur Dubrava, që është lokacion i burgut të Dubravës. Kjo ngjarje ka ndodh gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Siç e dini kemi rrit aktivitetet sa i përket personave të zhdukur së bashku me Policinë e Kosovës. Policia në punë operative ka identifikuar një dëshmitar, i cili ka treguar ngjarjen e një personi të cilin menjëherë pas luftës e ka gjetur në pjesën e malit ku ju ishit dhe e patë. Ai na tregoi vendin ku e ka gjetur dhe pa ndihmën e askujt, dëshmitari e kishte varrosur në një lokacion që tani është brenda perimetrit të burgut”, tha Morina.

Edhe Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka thënë se ky është lokacioni i dhjetë që gërmohet sivjet.

Ai tha se në momentin e përmirësimit të kushteve të motit do të fillojnë me gërmime në një lokacion në Komunën e Malishevës, për të vazhduar me një rast në Komunën e Prishtinës.

Sipas tij sfidë shqetësuese mbeten lokacionet në territorin e Serbisë.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme nuk është se ka ndonjë datë të caktuar për fillimin e gërmimeve të reja apo lokacioneve ku ne do të vazhdonim gërmimet e ndërprera nga ana e institucioneve të Serbisë”, deklaroi Gara.