Gënjeshtra e Alban Hysenit – Premtoi dy nënkalime në Gjilan gjatë këtij mandati, nuk e bëri asnjërin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nuk ka përmbushur një nga zotimet kryesore të dhëna gjatë fushatës së tij zgjedhore në vitin 2021, atë për ndërtimin e dy nënkalimeve në qytet gjatë mandatit të parë.

Sipas raportit më të fundit të Institutit GAP, që monitoron realizimin e premtimeve të kryetarëve komunalë, asnjëri nga dy projektet e premtuara për nënkalime nuk ka filluar ende, ndonëse mandati aktual i kryetarëve të komunave është në muajt e fundit.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë caktuar për 12 tetor 2025, transmeton lajmi.net.

Në fushatën e vitit 2021, Hyseni – kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje – pati deklaruar:

“Qyteti është i stërngarkuar, do t’i ndërtoj dy nënkalime brenda mandatit të parë.”

Megjithatë, raporti i GAP thekson mungesën e progresit në këtë drejtim, duke e renditur këtë premtim si të papërmbushur, ndërsa qytetarët e Gjilanit vazhdojnë të përballen me sfida në qarkullimin urban.