Genc Metaj “nuk lëshon pe”: Vëllai i ish-deputetes së VV-së bëhet sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Genc Metaj, brenda më pak se një viti e gjysmë, ka marrë një prej pozitave më të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Metaj që është vëllai i ish-deputetes së VV-së, Shqipe Metaj-Isufi, në shtator të vitit 2024 ishte përzgjedhur drejtor në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

E në fundvit, atij iu bë edhe një ‘dhuratë’. Metaj është emëruar Sekretar në ministrinë të cilën e drejton ministri në detyrë, Xhelal Sveçla.

Metaj nuk është vonuar, dhe marrjen e detyrës e ka publikuar edhe në rrjete sociale, aty ku në kopertinë, mban fotografinë me ‘shefin’ e tij, Xhelal Sveçla.

Shqipe Metaj-Isufi, motra e Genc Metajt, kishte qenë deputete e Vetëvendosjes për katër vjet.

Ajo kishte qenë kandidate edhe në zgjedhjet e shkurtit 2025, kurse në dhjetor nuk kishte garuar.

Në faqen e Ministrisë së Brendshme ende nuk është publikuar emri i tij si Sekretar.

Metaj është ushtarak, dhe kishte qenë pjesë edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 2016, Metaj ishte shpallur rreshteri më i mire në Akademinë prestigjioze të rreshter/majorëve në Amerikë.

Akademia e Rreshter Majorëve e Amerikës, e kishte vendosur (Foton-Biografinë) e Metajt në “Korridorin e Famës”.

“Korridori i Famës” për studentet ndërkombëtar është mirënjohje më e lartë për arritjet personale dhe për kontributin e dhënë në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve.

Megjithatë, edhe në të kaluarën kur në pozita të larta emëroheshin njerëz të afërt me figurat e partive të tjera, Vetëvendosje nuk përtonte të drejtonte akuza, pavarësisht CV dhe të kaluarës së tyre profesionale. Sipas VV-së kur ishte në opozitë, emërimet e tilla ishin “kapje e shtetit”.

Pozitën e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, para Metajt, e kishte pasur Fadil Kodra. Fillimisht ky ishte shkarkuar nga kjo pozitë, për të cilën kishte raportuar Nacionale.

Vendimi ishte rrëzuar nga Këshilli Civil, ku si rezultat Ministria ishte detyruar ta kthente në punë Kodrën.

Më pas, Kodra kishte refuzuar t’i shërbente Qeverisë Kurti, në pozitën e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.

Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës, kishte treguar për gazetën Nacionale se klientin e tij nuk do ta pranojë këtë pozitë.

Ai ka thënë se Kodra më nuk iu beson kësaj qeveria dhe për këtë arsyeje ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin.

Po, ju konfirmoj se pas fitores së dy betejave juridike ndaj dy vendimeve të Qeverisë (vendimit të parë të Ministrit të MPB dhe vendimit të dytë të Kryeministrit) me të cilat u vërtetua paligjshmëria e shkarkimit të z. Kodra, tashmë klienti im ka vendosur që të mos e pranoj vazhdimin e punës në shërbim të këtij pushteti ekzekutiv. Z. Kodra konsideron se, refuzimi për të mos pranuar këtë detyrë, është refuzim për t`ju nënshtruar pushtetit autoritar i cili tashmë ka dhënë prova të panumërta se ka urrejtje patologjike ndaj luftëtarëve të lirisë – UÇK-së – vlerës së shenjtë dhe më të lavdishme të populli”, ka thënë Fetahu.