Gazetarja reagon ndaj puthjes së Spallettit: Ngacmimi është gjë serioze…, një burri do t’i jepte bërrylin

Puthja e tentuar në shpatull ndaj gazetares Federica Zille nga Luciano Spalletti, gjatë një interviste “live” për DAZN, shkaktoi polemika. Disa e lidhën me adrenalinën pas barazimit 2-2 në minutën e 95-të, që frenoi Juven në garën për Champions dhe debatet për gjyqtarin; të tjerë e quajtën gjest të bezdisshëm dhe të papërshtatshëm.

Vetë Zille sqaroi: “Nuk kishte asnjë lloj qëllimi të keq në gjestin e Spallettit. Donte vetëm të thjeshtonte atë që po shpjegonte, pra se ka dallim mes një kontakti dhe një faulli”. Ajo theksoi korrektësinë e trajnerit: “Shumë thonë: me një burrë nuk do ta bënte. Jo, një burri do t’i jepte një bërryl për të treguar që ai ishte faull, jo thjesht kontakt”.

Zille e quajti të tepruar përdorimin e fjalës “ngacmim”: “Ngacmimi është gjë serioze…, fjalët kanë peshë dhe duhen përdorur me kujdes”. Spalletti po arsyetonte në TV mbi intensitetin e kontakteve në fushë dhe kriterin e përdorur nga arbitrat për interpretimin, shpesh jokonsistent dhe të debatueshëm, të disa situatave të lojës. Në entuziazmin e shpjegimit, ai mendoi të bënte një shembull në atë mënyrë për të qenë më i qartë:

“Kontakt… Kontakt, a mund të të jap një puthje? Kontakt, dhashë një puthje, është kontakt. I bëj një përkëdhelje, është kontakt. Duhet parë çfarë lloj kontakti është. Është përplasje, jo kontakt. Vështirësia do të ekzistojë gjithmonë nëse duam të krijojmë rregulla sipas të cilave shkeljet në këmbë janë të gjitha penallti dhe prekjet me dorë janë të gjitha penallti. Nuk është kështu”.

Spalletti, “show” në televizion. Puth “live” gazetaren për të shpjeguar penalltitë pas Juve-Lazio

 

The post Gazetarja reagon ndaj puthjes së Spallettit: Ngacmimi është gjë serioze…, një burri do t’i jepte bërrylin appeared first on Telesport.