Pas vitesh përvojë në gazetari, Elmedina Ballazhi ka vendosur t’i hyjë garës politike për t’u bërë deputete e legjislaturës së ardhshme. Në njoftimin e saj, gazetarja premtoi se do të jetë zëri i veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve, shkruan Fokusi.info.
Ballazhi tregoi për aktivitetet e saj të shumta gjatë viteve të fundit, duke përmendur angazhimin e gjatë në gazetari, dëshminë në Hagë për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, si dhe për fushatën për të bojkotuar produktet serbe.
Si vajzë e veteranit të UÇK-së, Ballazhi po ashtu u zotua se do të mundohet të jetë zëri i kësaj kategorie dhe grupeve të tjera të dala nga lufta çlirimtare.
”Zotohem para jush se do të jem: zëri i të rinjve që kërkojnë shpresë, zëri i grave që kërkojnë barazi, zëri i familjeve që luftojnë çdo ditë për dinjitet, zëri i veteranëve dhe i familjeve të dëshmorëve që meritojnë respekt, jo harresë”, shkroi Ballazhi.
Në listën e PDK-së me numër 130 që udhëhiqet nga kryetari Bedri Hamza, Elmedina Ballazhi synon të bëhet deputete pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit me numër 81./Fokusi.info










