Gazetarja Ardiana Thaçi kërkon gjykim të mbyllur në rastin e njohur si ‘Albkings: Viktimat duhet të mbrohen

Gazetarja dhe autorja e emisionit investigativ “Kiks” në Klan Kosova, Ardiana Thaçi, ka kërkuar që gjykimi ndaj personave të akuzuar për ngacmim seksual  në lidhje me rastin e njohur si ‘Albkings’, që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në një postim në rrjetet sociale, Thaçi ka ndarë përvojën e saj si dëshmitare në këtë proces dhe arsyet pse e ka ndryshuar qëndrimin nga një gjykim i hapur në një të mbyllur.

Sipas saj, në seancën e parë ajo është përballur me disa vajza të reja, të cilat ishin viktima të këtij rasti dhe që ndiheshin të frikësuara dhe të ekspozuara. Thaçi theksoi se ndonëse kishte dëshiruar që procesi të zhvillohej hapur për të shërbyer si shembull, tani beson se privatësia e viktimave është më e rëndësishme.

“Ato vajza ndoshta nuk e kanë mbështetjen që kam unë dhe kanë nevojë që identiteti i tyre të mbrohet”, shkroi ajo.

Gjykimi po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërsa një nga të akuzuarit raportohet të jetë larguar në Serbi. Në këtë proces ka një numër të madh viktimash, disa prej të cilave nuk kanë marrë pjesë në seancë nga frika e ekspozimit para familjeve të tyre.

Postimi i plotë i Thaçit:

Dua gjykim të mbyllur, ja pse…

Sot ishte hera e parë që hyra në Llamellën D të Gjykatës Themelore të Prishtinës me pak stres, frikë dhe, po, edhe krenari.

Megjithëse portën prej xhami të këtij objekti e kam kaluar shumë herë si gazetare, duke ndjekur seanca të shumta gjyqësore, sot ishte ndryshe. Këtë herë, isha dëshmitare në një proces gjyqësor dhe do të përballesha për herë të parë me disa nga ata burra të frustruar që kishin tentuar të përdhosnin emrin tim. Qëllimi i tyre ishte hakmarrja, pasi emisioni që unë udhëheq kishte zbuluar mëkatet e tyre të tmerrshme.

Thënë të drejtën, asnjërin prej tyre nuk e njihja. Emrat e tyre i dëgjova për herë të parë para një jave, kur më thirri Gjykata për të më njoftuar se do të niste gjykimi.

Avokati im, Kujta, më priste poshtë pallatit. Bashkë me të ishte edhe Erjona, gjysma tjetër e ekipit të Kiks-it. Të tre u nisëm drejt sallës së gjyqit.

Si gazetare me një intuitë të mprehtë, sytë më ranë mbi disa vajza të reja, të hutura, të cilat më shihnin me habi. Nuk e imagjinoja se edhe ato mund të ishin viktima të mizorive dhe frustrimit mashkullor.

Seanca nisi, por të akuzuarit nuk dukeshin askund. Gjyqtari filloi të thërriste me radhë emrat, dhe i pari në listë kishte refuzuar ftesën e Gjykatës. Kishte ikur në Serbi. U tha se ishte nga Lugina dhe atje ishte strehuar. Ani se para seancës avokati tha se ai nuk besonte në drejtësinë.

Ndërsa gjyqtari lexonte emrat e grave viktima, trupi më rrënqethej. Numri i tyre nuk ishte i vogël. Jo të gjitha ishin të pranishme; disa kishin dërguar një letër në Gjykatë:

“Për shkak të mos ekspozimit para familjes, nuk mund të jem e pranishme në seancë.”

Deri në ato momente, kërkoja me ngulm një gjykim të hapur, ku gratë si unë—që ishim ngacmuar seksualisht në rrjetet sociale—do të merrnin drejtësinë e merituar. Doja që ky proces të shërbente si shembull për të tjerët, për të dëshmuar se ajo që ndodhi pranverën e kaluar ishte një ndër krimet më të rënda gjinore.

Por sot… mendja më ndryshoi.

Fytyrat e atyre vajzave të pafajshme ishin veç frikë dhe heshtje. Të gjitha viktima. Të gjitha të dëmtuara nga një burrëri toksike dhe e sëmurë.

Një gjykim i hapur do të ishte një ekspozim i dytë për to. Mosha e disave prej tyre ishte vetëm 18-20 vjeç.

Tani dua një gjykim të mbyllur.

Sepse unë jam grua, nënë dhe vajza e dikujt.

Dhe nuk mund të përshkruaj tmerrin që kalova majin e kaluar, ani pse, para së gjithash, jam një grua që e çaj vetë rrugën time. Burrat rreth meje e dinë kush jam dhe çfarë bëj në jetë. E dinë që nuk mposhtem.

Por vajzat në atë sallë… ndoshta nuk e kanë këtë mbështetje. Dhe kanë nevojë që identiteti i tyre të mbrohet. /Demokracia.com/