Gaza, mbi 400 mijë të shpërngulur që nga rifillimi i operacioneve ushtarake izraelite

Gati 400 000 persona janë shpërngulur nga Rripi i Gazës që nga rifillimi i operacioneve ushtarake izraelite më 18 mars, deklaroi zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

”Të mbijetuarit në Gaza janë zhvendosur në mënyrë të përsëritur dhe janë detyruar të lëvizin në hapësira gjithnjë e më të vogla ku nevojat e tyre themelore nuk mund të plotësohen”, ankohet Stéphane Dujarric, ndërsa pothuajse të gjithë 2,4 milionë banorët e Gazës ishin zhvendosur të paktën një herë midis 7 tetorit 2023 dhe fillimit të armëpushimit në janar.

Në një deklaratë të përbashkët, krerët e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare, Tom Fletcher, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, UNICEF Catherine Russell dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP) Cindy McCain, nga ana e tyre i bënë thirrje botës që “të veprojë urgjentisht për të shpëtuar palestinezët në Gaza”.

”Gazanët janë të bllokuar, të bombarduar dhe të uritur, ndërsa ushqimi, ilaçet, karburantet grumbullohen në pikat e kalimit, strehimoret dhe pajisjet jetike janë bllokuar”, u ankuan ata, pas më shumë se një muaji bllokadë të vendosur nga Izraeli.

”Pretendimet se ka mjaft ushqim për të ushqyer palestinezët janë larg realitetit në terren dhe furnizimet janë jashtëzakonisht të ulëta”, këmbëngulën ata.

“Ne jemi dëshmitarë të akteve të luftës në Gaza që tregojnë një shpërfillje të hapur për jetët njerëzore”, shtojnë ata.