Në mikrofonat e gazetës spanjolle “AS” foli mesfushori i Barcelonës, Gavi, duke hedhur menjëherë sfidën e parë ndaj rivalëve të Real Madridit për sezonin e ri, që po afrohet. “A janë të shqetësuar te Reali? Sigurisht që janë. Ne fituam 4 ‘El Clasico’ nga 4 të tilla sezonin e kaluar, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Është normale që të jenë të shqetësuar. Në fund të fundit, sezonin e kaluar ne ishim spektakolarë, ndërsa ata nuk fituan asgjë”.
Për herë të parë që nga viti 2021, Real Madridi e përfundoi sezonin e kaluar pa fituar ndonjë trofe të rëndësishëm dhe për këtë arsye nga merkatoja kanë ardhur lojtarë shumë cilësorë si Alexander-Arnold, Huijsen, Carreras, Mastantuono. “Këtë verë janë forcuar, me lojtarë vërtet të mirë, për të qenë të sinqertë, – tha Gavi, – por do të shohim çfarë do të bëjnë sezonin e ardhshëm. Ata kanë një ekip fantastik, por ne duhet të jemi vetvetja dhe vetëm kaq”.
Gavi komentoi edhe merkaton e bërë nga klubi blaugrana: “Jam i bindur që Garcia dhe Rashford do të japin një kontribut të madh. Edhe Bardghji po bën shumë mirë. Shpresoj që të japin maksimumin për t’i fituar të gjithë titujt. Jam i kënaqur me ardhjen e Marcus, sepse është një lojtar mbresëlënës”.
Në fund, një batutë për numrin e ri 10, Lamine Yamal: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Përmirësohet çdo ditë. Është i shkëlqyer në stërvitje. Duhet të vazhdojë kështu, me këtë mentalitet. Jam i sigurt që, nëse nuk e fiton ‘Topin e Artë’ këtë vit, do ta fitojë shumë herë në të ardhmen”.
The post Gavi sfidon Real Madridin: E shoh të shqetësuar, i humbi të katër ‘El Clasico’ e sezonit të kaluar appeared first on Telesport.