Gattuso: Nuk doja të shkoja atje, por në Glasgow u bëra futbollist profesionist

“Nuk doja të shkoja në Glasgow. Kisha luajtur vetëm dy ndeshje në Serie B dhe po afroheshim drejt ngjitjes në Serie A. Një ditë, babai im erdhi tek unë dhe më tha se një përfaqësues i Rangers kishte ardhur në qytet dhe donte të më ofronte një kontratë. Nuk doja të largohesha nga Perugia dhe ia thashë këtë babait tim. Ai m’u përgjigj se Rangers po ofron aq shumë para saqë nuk arrinte as t’i shkruante numrat, dhe se ishin 4 herë më shumë sesa kishte fituar ai gjatë gjithë jetës së tij.

Kur i thashë përsëri jo, ai më tha se do të më jepte një grusht nëse nuk do të pranoja. Në fund, shkova te Rangers. E kam dashur dhe e dua ende atë periudhë; pikërisht në Glasgow fillova të mendoja si futbollist profesionist. Në Perugia më mungonte diçka nga ana mendore dhe nga ana e karakterit nuk isha ende mjaftueshëm i fortë, kisha frikë të bëja gabime, por në Glasgow u përmirësova. Aty kuptova se mund të bëja një karrierë në nivel të lartë.

Aty u përballa me lojtarë tashmë të pjekur e me përvojë, mbi të gjitha me Gascoigne, një i çmendur, por në kuptimin e mirë. Ndoshta nuk ishte shembull për sjelljen e tij, kujtoj se më përshëndeti duke më lënë nevojat e tij brenda çorapeve, por më dha shumë këshilla të rëndësishme për të më ndihmuar të futesha në një realitet të ri siç ishte Glasgow për mua në ato kohë.

Te Rangers kishim një kod të rreptë veshjeje, dhe në një dyqan të madh, Gascoigne më bleu katër a pesë kostume. Klubi i kishte thënë atij ta bënte këtë; paratë më pas do të zbriteshin nga paga ime, por kur e pyeta klubin se kur duhej ta shlyeja atë borxh, ata më thanë: Për këtë është kujdesur tashmë Gascoigne”.

– GENNARO GATTUSO

The post Gattuso: Nuk doja të shkoja atje, por në Glasgow u bëra futbollist profesionist appeared first on Telesport.