“Gattuso do t’i japë ekuilibër Italisë, por duhen lojtarë të fortë. Dhe ne kemi pak prej tyre”

Kombëtarja italiane zhgënjen dhe një si Dino Zoff nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj një teme të tillë. Ish-portieri, që ka fituar një Kampionat Botëror në vitin ‘82 me Italinë, në intervistë për “Corriere dello Sport” shpjegon pse nuk mjafton vetëm shpirtin që kishin ata për t’i shëruar axurrët, të cilët rrezikojnë sërish të mos kualifikohen në Botëror:

“Do të donim të mjaftonte vetëm ai shpirt, por nëse do të ishte kështu, futbolli nuk do të ishte sport, por lutje. E vërteta është që duhen lojtarë të fortë dhe ne kemi pak prej tyre. Kampionati nuk i ndihmon trajnerët e kombëtares sonë, duke parë që në Serie A ka gjithnjë e më shumë të huaj”.

A nuk krijojmë më talente apo nuk iu japim mundësitë e duhura?
Talentet nuk krijohen, lindin. Për një sërë faktorësh, kjo nuk ndodh më. Të rinjtë sot mund të zgjedhin mes shumë sportesh, prindërit janë tejet imponues, shkollat e futbollit shkatërrojnë teknikën në favor të taktikës, nuk luhet më në rrugë. Për më tepër, bëjmë më pak fëmijë. Në vitet ‘60-‘70, Friuli Venezia-Giulia ime i jepte 12 futbollistë Serie A, tani besoj se janë 2-3.

Çfarë mund të sjellë Gattuso si trajner i kombëtares?
Ekuilibër. Në Norvegji shkuam për të bërë Barcelonën, ndërsa ata bënë Italinë: 3 kundërsulme, 3 gola. E rëndësishme është të rifitohen ambiciet.

The post “Gattuso do t’i japë ekuilibër Italisë, por duhen lojtarë të fortë. Dhe ne kemi pak prej tyre” appeared first on Telesport.