Antonio Cassano ka folur për emisionin “Viva el Futbol” lidhur me emërimin e Gennaro Gattuso, ish-shokut të tij të skuadrës, si trajner i kombëtares italiane: “E kam kontaktuar, i kam uruar fat. Është zgjedhja më e mirë që mund të bëhej. Gennaro është një trajner shumë i mirë dhe në këto 8 vitet e fundit ka punuar në 6 vende të ndryshme, duke drejtuar skuadra të vështira si Marseille, Valencia, Napoli. Ka shumë personalitet dhe ide të qarta.
Në intervista vazhdon të thotë se një si vetë Gattuso, sot nuk do të luante në skuadrën e tij. Unë gjithmonë i them se nëse duhet të shkosh në luftë, një si Gattuso të duhet gjithmonë. Ka ide të qarta, jam i bindur se është zgjedhja më e mirë. E nis nga parimi që kjo kombëtare nuk është e denjë, por jam i sigurt se me Rino do të shkojmë në Botëror. Ia uroj, e meriton si trajner dhe si njeri. Pastaj e meritojmë edhe ne italianët. Nuk dua të mendoj negativisht, dua të besoj që Rino do t’ia dalë”.
Gjatë bisedës, Cassano foli edhe për largimin e Luciano Spallettit dhe rolin e Gianluigi Buffon në zgjedhjen e Gattusos: “Nuk kam folur me Gigi, por nëse është e vërtetë, ka bërë zgjedhjen më të mirë. Më në fund po i japin përgjegjësinë që meriton, jam i lumtur për këtë. Të flasim troç: Spalletti nuk bëri mirë në Europian, unë ia kisha thënë të mos e merrte përsipër këtë punë.
Ai e pranoi dhe bëri gabimet e tij, por është i fundit që duhet fajësuar për këtë katastrofë. Nëse drejtuesit nuk dinë ku janë, nuk mbështesin zgjedhjet, del ky dështim. Gjithçka nisi kur Gravina donte t’i hiqte Mancinit 3-4 bashkëpunëtorë, pastaj Mancini bëri zgjedhjet e tij, por ai ishte gabimi i parë.
Gabimi tjetër ndodhi pas Europianit; ose e largon menjëherë trajnerin, ose i jep besim deri në fund. Në vështirësinë e parë, drejtuesit e flakën trajnerin e kombëtares. Spalletti nuk bëri mirë, kjo është objektive, por duhet kujtuar se kjo kombëtare është e dobët. Po kështu duhet pasur parasysh se edhe Norvegjia ka 4-5 top-lojtarë, ndërsa ne kemi vetëm Donnarummën”.
The post “Gattuso do të na çojë në Botëror. Spalletti? Bëri keq, por është i fundit nga fajtorët” appeared first on Telesport.