Gati 90% e votave të numëruara – kush “sa po peshon”?

Pas ndërprerjes prej 24 orëve të numërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nga KQZ-ja, procesi rifilloi të enjten në orën 16:00.

Deri më tani, kur po shkojmë drejt mesnatës, janë numëruar gati 90% e votave, kurse renditja e kandidatëve për deputetë nuk është se ka pësuar ndryshime te pothuajse asnjëra parti pjesëmarrëse në zgjedhje.

Në LVV, e cila doli partia e parë me rreth 50% të votave, kandidati më i votuar del të jetë bartësi i listës, Albin Kurti me 312,068 vota. Pas tij në listën e kësaj partie është Glauk Konjufca me 241,965, Albulena Haxhiu me 127,332, Hekuran Murati me 126,083 dhe Donika Gërvalla- Schwarz me 113,752.

Te PDK-ja, Bedri Hamza ka 140,584 vota, e pas tij është Arian Tahiri me 62,746, Përparim Gruda me 57,639, Uran Ismaili 46,788 ndërsa top-5 përmbyllet me Sala Jasharin e cila ka grumbulluar gjithsejtë 42,352 vota.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku ka marrë 70,737 vota. Pas tij vjen Hykmete Bajrami me 44,191 vota, e ndjekur nga Ukë Rugova me 38,919 vota. Top-5 përmbyllet nga Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica Xhelili me 35,154, respektivisht 34,264.

Kurse te AAK-ja, Ramush Haradinaj prin me 37,133 vota, i ndjekur nga vëllai i tij, Dauti me 22,050, Besnik Tahiri 21,964, Bekë Berisha 16,098 dhe Agim Çeku 14,880.