Gati 70% e zonave të ndërtuara në Gaza të pabanueshme, kontraktorët paguhen deri në 1.500 dollarë për çdo shtëpi të rrënuar

Në Rripin e Gazës, përveç vrasjes së përditshme të dhjetëra civilëve palestinezë, që nga fillimi i prillit po zhvillohet edhe shkatërrimi i të gjitha zonave të ndërtuara. Kjo është pjesë e një politike të qëndrueshme dhe progresive të zhdukjes së zonave urbane, e nxitur nga qeveria e Benjamin Netanyahut.

“Banorët e Gazës nuk kanë më shtëpi ku të kthehen. Bota që ata kanë njohur dhe jetët e tyre të dikurshme kanë zhdukur përgjithmonë”, deklaroi për shtypin izraelit Adi Ben-Nun, drejtor i Institutit të Sistemeve të Informacionit Gjeografik në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Ben-Nun ka analizuar qindra imazhe satelitore dhe ka përdorur një algoritëm për të vlerësuar shkallën e shkatërrimeve. Edhe BBC, në një raport të thelluar, publikoi imazhe të asaj që e quan “demolime të kontrolluara”, të cilat u intensifikuan dhe u zgjeruan pas prishjes së armëpushimit me Hamasin në mars, armëpushim që ishte shpallur më 19 janar.

Sipas vlerësimeve të tij, janë dëmtuar rëndë më shumë se 160 mijë ndërtesa, që përbëjnë mbi 70% të zonave të ndërtuara në Rripin e Gazës, duke i bërë të pabanueshme.

“Shkatërrimi është në çdo nivel, nga banesat private te ndërtesat publike, përfshirë fabrika, punishte, shkolla dhe toka bujqësore. Asgjë nuk mbetet në këmbë”, shton ai. Dhe vëren se dëmet mund të jenë edhe më të mëdha, pasi imazhet satelitore nuk kapin dëmet e mureve nëse nuk shihen çatitë të shembura.

Një nga zonat më të goditura është qyteti jugor Rafah, në kufi me Sinain egjiptian, ku përpara 7 tetorit 2023 jetonin rreth 275 mijë njerëz. Sot, 80% e ndërtesave atje janë reduktuar në pluhur ose janë shkatërruar pothuajse plotësisht. Kontraktorët privatë të punësuar nga ushtria me buldozerët e tyre paguhen deri në 1 mijë e 500 dollarë për çdo ndërtesë të shkatërruar. Vetë Netanyahu përsëriti në maj: “Po i shkatërrojmë të gjitha, që të mos kthehen më kurrë”.

Ndër palestinezët e territoreve të pushtuara me të cilët është folur këto ditë, shumë shprehen me hidhërim se vetëm nëse je i krishterë i lidhur me kishat perëndimore, ose ke shtetësi të dyfishtë amerikane, mund të fitosh ndonjë vëmendje nga bota. Ashtu si tani, pas sulmit izraelit ndaj të vetmes kishë katolike në Rripin e Gazës, të enjten në mëngjes, kur komuniteti ndërkombëtar ngriti zërin kundër luftës. Apo si në fillim të javës, kur vrasja pranë Ramallahut nga kolonët hebrenj e një 20-vjeçari të lindur në Bregun Perëndimor dhe banues në SHBA (ishte kthyer për një pushim të shkurtër) shkaktoi një dënim të pazakontë nga ambasada amerikane.

Por realiteti i përditshëm i shtypjes izraelite është para syve të kujtdo që do të shohë. Bombardimet vazhdojnë pa dallim, me synimin e dukshëm për të detyruar njerëzit të emigrojnë (pa u ditur se ku, pasi kufijtë janë të mbyllur).

Faqja izraelite +972 shpjegon se mekanizmat e shënjestrimit për raketat dhe dronët e ushtrisë drejtohen nga inteligjenca artificiale, e programuar për të pranuar vdekjen e 15 – 20 civilëve të pafajshëm për çdo militant të Hamasit të eliminuar, dhe deri në 100 nëse objektivi është një figurë e lartë e organizatës islamike.