Problemet e vazhdueshme në sektorin energjetik të Kosovës nuk janë të përkohshme, por rezultat i një strukture të konsoliduar që analisti Astrit Gashi e quan “mafia energjetike”.
Gashi tha se kjo gjendje është ndërtuar dhe mirëmbajtur ndër vite, me ndikim të drejtpërdrejtë edhe nga institucionet shtetërore.
Sipas tij, vështirësitë në balancimin e sistemit energjetik dhe reduktimet e fundit të energjisë elektrike janë reflektim i ndikimit të kësaj strukture që, siç tha, kontrollon tregun e energjisë.
Gashi theksoi se qeveritë e njëpasnjëshme kanë dështuar të ndërtojnë kapacitete të reja prodhuese, pasi interesat e grupeve të fuqishme në tregun energjetik e kanë pamundësuar një zhvillim të tillë.
“Qeveria e Kosovës e ka forcuar, nuk e ka luftuar, e ka stimuluar mafinë energjetike. Mafia energjetike shqiptarët nuk kanë ditur ta bëjnë pa Vuk Hamoviqin, as në vitin 2000 e as në 2025. Harrone atë punë,” u shpreh Gashi në Dukagjin.
Ai shtoi se, sipas tij, tregtia e energjisë në Ballkan historikisht ka qenë dhe vazhdon të dominohet nga aktorë serbë, ndërsa kompanitë shqiptare, siç tha, janë të detyruara të bashkëpunojnë me ta.
“Mafia energjetike është duke e bërë këtë punë. Nuk të lë me ndërtu termocentrale, nuk të le me u kry punimet qysh duhet. Krejt këto janë pjesë e mafisë energjetike,” deklaroi Gashi.










