Gashi për publikimin e incidentit gjatë intervistës: S’ka për qëllim të gjykoj askënd, por të tregojmë qartë rrethanat

Gazetari Astrit Gashi ka reaguar pas incidentit të djeshëm ku deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, u përfshi në një përleshje fizike me një qytetar gjatë intervistës së tij.

Gashi tha se gjithçka po zhvillohej normalisht, derisa situata doli krejt papritur jashtë kontrollit.

“Intervista po zhvillohej në mënyrë normale dhe të qetë deri në çastin e incidentit, i cili na ndodhi krejt papritur dhe jashtë kontrollit tonë. Kam mbetur i shtangur nga situata. Kemi zgjedhur të transmetojmë materialin, për të qenë transparent me publikun dhe për të shmangur çdo keqkuptim apo spekulim të mundshëm,” tha gazetari Gashi.

Ai sqaroi se publikimi i videos së plotë është bërë për transparencë të plotë me publikun dhe për të shmangur keqkuptime apo spekulime.

“Ky material që kemi transmetuar nuk ka për qëllim të gjykojë askënd. S’e marrim ne, nga pozicioni ynë i gazetarit, drejtësinë në duar, por të tregojmë qartë rrethanat e një ngjarjeje që tashmë është në duart e institucioneve të rendit,” tha Gashi.