Gashi, PDK: Vetëvendosje po tenton të shmangë dërgimin e fletëvotimeve origjinale për diasporën – nuk i përfshin në buxhetin për zgjedhjet

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë zhvilluar debate të ashpra lidhur me planifikimin buxhetor për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, i cili është parashikuar në shumën prej 7.8 milionë euro.

Debati është ndezur pasi përfaqësuesit e ish-opozitës kanë kundërshtuar faktin se në këtë buxhet nuk është planifikuar dërgimi i fletëvotimeve përmes postës për votuesit jashtë Kosovës, pavarësisht se një gjë e tillë kërkohet qartë nga rregullorja në fuqi e KQZ-së.

Sipas tyre, kundërshtimi i Vetëvendosjes për këtë pjesë të buxhetit tregon se LVV nuk është e interesuar për integritetin e votimit të diasporës, duke tentuar të shmangë dërgimin e fletëvotimeve origjinale, mënyra e vetme e kërkuar nga rregullorja për votim kredibil jashtë vendit.

Në këtë kontekst, përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka reaguar me një deklaratë të qartë për domosdoshmërinë e ruajtjes së standardeve të integritetit zgjedhor.

Gashi theksoi se diskutimet e sotme janë fokusuar në buxhetin që “i siguron procesit zgjedhor kredibilitet dhe integritet të plotë”.

Duke u mbështetur në rregulloren zgjedhore në fuqi, ai rikujtoi se sipas Nenit 9, mënyra e vetme e votimit kredibil mbetet dërgimi i fletëvotimit original.

Në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai u bëri thirrje qytetarëve të diasporës që të kthehen për të votuar fizikish.

“Ftoj të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit të kthehen në Kosovë dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës fizikisht”.

Ai kujtoi se modeli i zgjedhjeve lokale ka treguar se procesi është i besueshëm vetëm kur votimi bëhet me fletëvotime origjinale.

“Ashtu siç patëm një proces të besueshëm dhe me integritet të lartë në zgjedhjet lokale… është e domosdoshme që kjo praktikë të zbatohet edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme”.

Gashi kritikoi fuqishëm idenë për rikthim tek modelet e 9 shkurtit.

“Kthimi pas te praktikat e 9 shkurtit… do të përbënte një cenim serioz të besueshmërisë së procesit zgjedhor. Nuk jam i gatshëm të pranoj rikthimin në një model të tillë”.

Ai theksoi se standardet demokratike nuk mund të sakrifikohen për arsye buxhetore.

 

“Mënyra e vetme e pranueshme mbetet dërgimi i fletëvotimit origjinal, pavarësisht kostos. Demokracia dhe integriteti elektoral kanë kosto, por janë domosdoshmëri për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve”.