Gashi komenton kthimin e Osmanit në LDK, tregon diçka që ka dëgjuar në fushatë

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi që po kandidon për zgjedhjet e 7 qershorit, ka folur për krisjet brenda partisë kur u vendosën numrat për kandidatët për deputetë nga LDK-ja.

Në emisionin VV Show me Vehbi Kajtazin ka pranuar se ishte ndier i tradhtuar nga partia kur vendosi që t’ia jepte numrin 14 në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar.

“Nuk jam ankuar kurrë për numrin”, ka thënë Gashi.

“Sepse kam qenë kryetar grupi, e kam bërë luftën gjashtë vjet dhe hera e parë në histori të LDK-së ishte tradhti për mu prej njerëzve që kam punu. Kam qenë në krye të betejës për 6 vjet. Nuk kam dasht me qenë kryetar grupi, i kam thënë Abdixhikut, por insistuan krejt”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë para Kajtazit se situatat i ka parashikuar më herët.

“E mbajta grupin unik, por kur erdhi puna për propozime unë e propozova Agim Veliun, unë isha një vjet e gjysmë përpara, po ka kosto personale sepse po mundohem të bëjë më të mirën për vendin”, ka thënë ai.

Gashi ka treguar edhe një rast gjatë takimit me qytetarët në ditët e fundit. E ka quajtur shqetësuese se si votuesit janë të irrituar me kthimin e Vjosa Osmanit.

“Mu dok diçka shqetësuese, ka me kriju irritim mënyra se si folëshin njerëzit mënyra se si iu dorëzu partia atyre. I kuptoj marrëveshjet, rikthimet dhe kompromiset. Si po prezantohet është projekt politik”, ka thënë ai.