Gashi i rreshton një nga një pengesat ligjore për buxhetin rreth të cilit VV-ja po tenton kapitalizim politik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka dhënë shpjegime të detajuara ligjore dhe procedurale se pse miratimi i buxhetit në rrethanat aktuale politike është i pamundur.

Në një deklaratë të dhënë në emisionin “Pressing”, Gashi ka theksuar se si përfaqësues i qytetarëve ka përgjegjësi të garantojë kushtetueshmërinë e proceseve, duke nënvizuar se situata aktuale është e bllokuar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

Sipas Gashit, pengesa kryesore qëndron në faktin se me shpërndarjen e legjislaturës së kaluar, të gjitha iniciativat ligjore bien poshtë.

“Unë, si i zgjedhur i qytetarëve, kam përgjegjësi me garantu që ka kushtetueshmëri dhe ligjshmëri. Situata është e tillë që edhe Kushtetuta edhe rregullorja e punës së Kuvendit thonë që çdo propozim që mbetet në procedurë në momentin e shpërndarjes së Kuvendit kthehet në pikën zero. Ato janë kthyer të gjitha në pikën zero.” – deklaroi Gashi.

Një tjetër problematikë që depueti ka ngritur është ekskluziviteti i propozimit të buxhetit. Ai sqaroi se Ligji për Financat Publike ia njeh këtë të drejtë vetëm Qeverisë, dhe jo deputetëve apo grupeve parlamentare.

Në këtë kontekst, Gashi shpjegon se qeveria në detyrë nuk e ka këtë mundësi mbi argumentin e thjeshtë që Kurti dhe të tjerët mbajnë rolin e deputetëve.

“Problemi i dytë është: sipas Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, i vetmi institucion që mund me propozu buxhet është Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk mundet askush tjetër. Është i vetmi ligj të cilin nuk mund ta propozojë deputeti, nuk mund ta propozojë as një grup parlamentar. I vetmi ligj që mund të propozohet me ekskluzivitet nga qeveria është ligji për ndarjet buxhetore. Pastaj lind problemi tjetër – a është e autorizuar Qeveria e cila është në detyrë, e cila nuk ka kryeministër, kryeministri i cili e ka marrë funksionin e deputetit.”

Përveç anës propozuese, deputeti i LDK-së ka vënë theksin edhe te pamundësia e shqyrtimit të projektligjit për buxhetin.

“Kjo është njëra pjesë e problemit. Pjesa e dytë e problemit janë komisionet – kush do ta trajtojë? Ju e gjeni që ligji shkon në procedurë kuvendore, dy lexime, duhet të jenë të paktën 4 komisione të përhershme. Ato nuk ekzistojnë. Prap kthehemi tek rregullorja e punës së Kuvendit dhe kjo rregullore thotë se komisionet reflektojnë përbërjen politike të Kuvendit dhe ndarjen pozitë-opozitë.” – tha Gashi.