Gashi i PDK-së në KQZ: E fituam betejën kundër VV-së për dërgimin e fletëvotimeve në mërgatë

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë deklaruar se kanë fituar “betejën” ndaj anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilët, sipas tyre, kishin kundërshtuar ndarjen e mjeteve financiare për dërgimin e fletëvotimeve origjinale për secilin votues të mërgatës.

“Ne e kemi realizuar këtë obligim ligjor, pavarësisht kundërshtimeve të anëtarëve të VV-së”, ka deklaruar anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.

Ai ka shtuar se vendimi për pranimin e fletëvotimeve të ardhura pas afatit ligjor është miratuar nga KQZ-ja me vetëdije se bëhej fjalë për shkelje ligjore.

“Sidoqoftë, kjo u arsyetua me qëllimin që të mos keqkuptohej se jemi kundër mërgatës. Tani, organet kompetente duhet të vendosin në mënyrë meritore lidhur me këtë vendim të KQZ-së”.