Garancia e pagesës nuk është lëshuar ende

KOSTT, ka reaguar për skandalin energjetik ku shteti dha garanci bankare për operatorë privatë.

KOSTT thotë se garancia e Pagesës është një kërkesë standarde në kuadër të Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë (PPA), por se kjo garanci nuk është ende e lëshuar.

Sipas tyre kjo garanci u kërkua si rezultat i paqëndrueshmërisë financiare të KOSTT gjatë periudhës së procesit konkurrues të ankandit për 100 MW, për të garantuar se KOSTT do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e tij si blerës i energjisë elektrike të prodhuar nga impianti fotovoltaik.


“Është e rëndësishme të theksohet se Garancia e Pagesës nuk është ende e lëshuar. Ajo parashikohet të lëshohet pas Datës së Operimit Komercial, pasi projekti të ketë përfunduar fazën e komisionimit dhe të jetë gati për të filluar gjenerimin e energjisë.”, thuhet nw reagimin e KOSTT-it/

Në arsyetimin e tyre thuhet se” ky hap nënvizon angazhimin e KOSTT për të siguruar një mjedis të fortë dhe të sigurt për funksionimin e suksesshëm të projektit të energjisë së ripërtëritshme dhe përforcon rolin e Operatorit të Tregut në mbështetjen e objektivave të Kosovës për kalimin drejt energjisë së pastër dhe përmbushjen e caqeve të zotuara pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.”

Sipas tyre, pretendimet e paraqitura sonte në një nga debatet televizive janë të pasakta, të paqëndrueshme dhe si të tilla shtrembërojnë në tërësi të vërtetën.

Ndryshe, Ermal Panduri në emisionin ‘Debat Plus’ sonte ka sjellur para publikut një hulumtim që shfaq keqpërdorime në çështjen e energjisë elektrike në Kosovë, ku janë të përfshirë shumë aktorë të rëndësishëm dhe vendimmarrës.

Në këtë hulumtim Panduri ka thënë se shihet qartë kapja totale e një prej institucioneve kryesore të energjisë – KOSTT-it.

Pozicionet kyçe në këtë institucion mbahen nga persona që kanë lidhje direkte ose indirekte me zyrtarët më të lartë të shtetit dhe pushtetit.

Ky garancion bankar milionësh, nga viti i ardhshëm do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin më të madh të faturave, që do ta paguajnë qytetarët k thënë Panduri.

Ai tutje ka treguar se është hulumtuar dhe analizuar gjatë ku del se ky veprim i KOSTT-it është jashtëzakonisht i dyshimtë.

Por, KOSTT-i nuk është i vetëm ka thënë Panduri duke shtuar se këtu përfshihen thellë edhe Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, me në krye shefat e tyre.

‘’Puna shkon deri tek Kuvendi i Kosovës, që po del se nuk ka qenë fare në dijeni se një organ që do duhej t’i përgjigjej atij, ka lëshuar një fletëgarancion bankar për një operator privat’’, ka thënë ai.

Tutje Panduri ka thënë se nga taksat tona shteti i jep garancion në bankë – një privati.

”Bëhet fjalë për Ankandin Solar 100 MW, që ishte i pari i shpallur nga institucionet e Kosovës’’, ka thënë ai.