Instituti GAP ka publikuar sot raportin “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna”, ku nxjerr në pah përmasat shqetësuese të barrës financiare që po rëndon mbi komunat e Kosovës si pasojë e obligimeve gjyqësore dhe përmbarimore.
Sipas raportit, gjatë periudhës 2022–2024, komunat kanë paguar mbi 163 milionë euro për këto obligime, duke rrezikuar seriozisht funksionimin e tyre dhe aftësinë për të realizuar projekte zhvillimore. Në disa raste, komunat janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga niveli qendror, ndërsa të tjera kanë pezulluar apo hequr dorë nga investime kapitale të planifikuara.
Shpenzimet përmbarimore janë rritur ndjeshëm në të gjitha komunat, pavarësisht madhësisë së tyre, duke dëshmuar se problemi është përhapur në të gjithë territorin.
Obligimet nuk burojnë vetëm nga kontratat kolektive në sektorin e arsimit, por edhe nga marrëveshje të ngjashme në shëndetësi. Një ndër faktorët kyç që ka ndikuar në rritjen e këtyre obligimeve është vendimi i Qeverisë së Kosovës i vitit 2008, i cili parasheh pagesë shtesë për punonjësit e arsimit në bazë të nivelit të kualifikimit.
Përveç sektorit të arsimit dhe shëndetësisë, gjithnjë e më shumë kërkesa për kompensim po paraqiten nga shërbyesit civilë për çështje si përvoja e punës, shujta, inflacioni dhe shpenzimet e transportit. Gjatë vitit 2024, një numër i konsiderueshëm i komunave kanë raportuar që shpenzimet përmbarimore i kanë tejkaluar të hyrat vetanake apo madje edhe shpenzimet për investime kapitale.
Përveç detyrimeve ekzistuese, komunat po përballen edhe me një rritje të ndjeshme të detyrimeve kontingjente – pretendime financiare që janë në proces gjyqësor – që aktualisht arrijnë në rreth 208 milionë euro, kryesisht të lidhura me projekte kapitale.
Instituti GAP thekson se përballimi i kësaj barre financiare kërkon një reagim të koordinuar ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, duke qenë se shumica e obligimeve burojnë nga vendime, kontrata dhe ligje të miratuara nga niveli qendror.
Në këtë drejtim, rekomandimet kryesore të raportit janë:
• Qeveria e Kosovës të marrë përsipër ekzekutimin e pagesave që burojnë nga vendime gjyqësore;
• Të rishikohet Ligji për Pagat, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës;
• Të qartësohet statusi i vendimit të vitit 2008 për kualifikimet e mësimdhënësve;
• Komunat të përfshihen në proceset e negociimit dhe hartimit të çdo ligji apo vendimi të ri që mund të krijojë implikime financiare për nivelin lokal.