Gjykata Kushtetuese sot ka vendosur edhe për ankesën e Gani Dreshajt lidhur me rezultatin e zgjedhjeve lokale për kryetar të Istogut më 2017.
Pasi vitin e kaluar, ankesa e Gani Dreshajt, ish-kandidat për kryetar të Istogut, u refuzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme, ai ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, shkeljet kryesisht kishin të bënin me votat e të paktën pesëdhjetë e dy qytetarëve të cilat nuk janë numëruar pasi që këta qytetarë kishin arritur moshën madhore pas përditësimit të listës Përfundimtare të Votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me dt. 22 shtator 2017.
AAK-ja ka kërkuar që të anulohet vendimi i kontestuar i PZAP-it dhe të urdhërohet KQZ-ja që të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në raundin e dytë për kryetar të Komunës së Istogut, duke i përfshirë edhe votat me postë.
Por, aktgjykimi i Kushtetueses thotë se Gani Dreshajt dhe partisë së tij, AAK-së, nuk iu janë cenuar të drejtat, duke konstatuar se vendimet e kontestuara të PZAP dhe Gjykatës Supreme janë në pajtim dhe të përcaktuara me ligj, të arsyetuara dhe nuk juanë arbitrare ose të paarsyeshme, ashtu siç kishte pretenduar AAK dhe Gani Dreshaj në ankesën e tyre dërguar Kushtetueses.
“Prandaj, Gjykata konstaton se vendimet e kontestuara të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme janë në pajtim dhe të përcaktuara me ligj, të arsyetuara dhe se të njëjtat nuk janë arbitrare ose qartazi të paarsyeshme. Është çështje tjetër nëse dispozita e lartcekur ligjore është në pajtim me Kushtetutën ose jo. Për këtë çështje, Gjykata që në fillim deklaroi se korniza ligjore e cila rregullon të drejtën zgjedhore në Republikën e Kosovës nuk është objekt i shqyrtimit në këtë rast”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Gjykata, gjithashtu thotë se e drejta pasive e votuesve, u takon kandidatëve si individë, gjegjësisht personave fizik të cilët kandidojnë në zgjedhjet e nivelit lokal dhe qendror, si dhe subjekteve politike, gjegjësisht personave juridik të cilët janë në garë në zgjedhjet e nivelit lokal ose qendror.
Kushtetuesja gjithashtu thotë se parashtruesit e kërkesës, Gani Dreshaj dhe AAK’ja, nuk kontestojnë asnjë vendim të organit publik me të cilin ka ardhur deri tek diskualifikimi i ndonjë personi fizik apo juridik për t’u kandiduar në zgjedhje.
Kujtojmë se kundërkandidat i Dreshajt për kryetar të Istogut ishte Haki Rugova i LDK-së.