Galatasaray dërgon ofertën e parë për Donnarumma-n, italiani ende nuk ka kthyer përgjigje sepse ka një tjetër plan

Pas transferimit të bujshëm të Victor Osimhen, Galatasaray po tenton një tjetër goditje të madhe. Klubi turk ka dërguar ofertën e parë zyrtare në drejtim të PSG-së për një transferim të mundshëm të Gigio Donnarumma-s.

Portierit italian të cilit i skadon kontrata me PSG-në verën e vitit të ardhshëm, nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët për një rinovim të mundshëm, ndaj largimi i tij këtë verë nga francezët është mëse i mundshëm.

Për një rinovim të kontratës, PSG i ka ofruar portierit italian rrogën që merr aktualisht, por Gigio ka kërkuar një rritje të ndjeshme, gjë që nuk pranohet nga drejtuesit e klubit francez. Në këtë mënyrë, ata janë të hapur për të pritur oferta për kartonin e tij.

Klubi i parë që ka dërguar ofertë zyrtare është Galatasaray, por Gigio Donnarumma pavarësisht se e vlerëson interesimin e klubit turk nuk ka kthyer ende përgjigje, pasi dëshiron të marrë më shumë kohë për të vendosur të ardhmen e tij.

Mediat franceze raportojnë se plani i Donnarumma-s është të transferohet diku tjetër dhe jo te Galatasaray. Ndërkohë nga Anglia, Manchester City vazhdon të ndjek me vëmendje situatën mes portierit italian dhe PSG-së.

Edhe pse, City arriti marrëveshjen me Burnley për rikthimin e James Trafford për 40 milionë euro, Guardiola nuk do t’i thoshte dot “jo” një transferimi të mundshëm të Gigio Donnarumma-s. E ardhmja e portierit italian pritet të vendoset shumë shpejt.

The post Galatasaray dërgon ofertën e parë për Donnarumma-n, italiani ende nuk ka kthyer përgjigje sepse ka një tjetër plan appeared first on Telesport.