Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka lëshuar një tjetër kritikë të ashpër ndaj qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në dialogun me Serbinë.
Sipas Hasanit, Kurti dhe ‘ata që e kanë këshilluar’, nuk kanë pasur qartësi për pasojat e marrëveshjes, duke e keqinterpretuar natyrën e saj.
Të mërkurën në “Adresa”, ai theksoi se me këtë qasje, është hequr dorë “pakthyeshëm” nga perspektiva e njohjes së ndërsjellë dhe se Serbia është vendosur në pozitë të favorshme për të ndikuar në statusin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Gabimi më fatal është që ai nuk i ka pasur të qartë gjërat themelore edhe ata qe e kanë këshillu, që marrëveshja e Brukselit nuk ka asnjë ngjashmëri me marrëveshjen e dy Gjermanive siç i është thënë, siç e kanë mashtru, aty është heq dorë pakthyeshëm nga njohja dhe i është dhënë e drejta e Serbisë me paragjyku statusin e Kosovës siç e ka Spanja dhe këto vendet tjera mosnjohëse të BE-së. E dyta ka pranuar rolin operativ të rezolutës 12/24 të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Hasani.










