Gabimi i madh i Vetëvendosjes: Shkel privatësinë e mijëra mërgimtarëve

Gara zgjedhore sa po vjen e po bëhet më e ashpër.

Partitë politike, e në veçanti partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po lë gur pa lëvizur për të marrë votat që pretendojnë t’ua japin edhe një mandat të tretë qeverisës.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar dhjetëra thirrje që kjo parti ua ka bërë mërgimtarëve, duke u sugjeruar të shfrytëzojnë autobusët pa pagesë për të ardhur dhe për të votuar në vendlindje më 9 shkurt.

Ky fakt po cilësohet si një ndërhyrje në privatësinë e votës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas Ligjit të Zgjedhjeve, liria dhe fshehtësia e votës janë të garantuara. Askush nuk ka të drejtë të pengojë ndonjë qytetar për të votuar, ta detyrojë atë të votojë në një mënyrë të caktuar, ta mbajë përgjegjës për votën ose t’i kërkojë kundër dëshirës së tij/saj të zbulojë votën ose arsyet për mosvotim.

Pikërisht organizimi i këtyre ardhjeve, sipas shoqërisë civile dhe njohësve të legjislacionit, po ndikon në demokracinë e zgjedhjeve.

Albana Hasani nga Lëvizja FOL thotë se po interferohet në zgjedhjen e lirë të qytetarëve.

Ky veprim po dënohet edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës. Eugen Cakolli nga ky Institut, për KIKS-in tha se pagesa e udhëtimit përkthehet në ndikim në votën e lirë.

Një veprimtari e ngjashme me këtë të zgjedhjeve të 9 shkurtit, sipas Cakollit, kishte ndodhur edhe më parë. Sjellja e votuesve me vetura private nga parti të tjera ishte dënuar si veprim, andaj sipas tij, e njëjta duhet të ndodhë edhe tani.

Edhe pse jo etike, hapësirat ligjore po ua lejojnë në një farë mënyre partive politike këtë veprim. Përcaktimet e ligjit për fushatat zgjedhore, sipas njohësit të Kushtetutës, Mazllum Baraliu, partitë po i përdorin në mënyrë strategjike për interesat e tyre të fitores.

Pas këtij veprimi, partitë politike do të duhej të deklaronin shpenzimet për pagesat e autobusëve. Mirëpo skeptik se një gjë e tillë ndodh shprehet Baraliu.