Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka bërë të ditur se nga Forca e Sigurisë së Kosovës i është konfirmuar që hyrja e një konvoji të kësaj force në veri të Kosovës gjatë ditës, ka ndodhur gabimisht.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është deklaruar pas rastit të sotëm, ku pjesëtarë të Forcës së Sigurisë e Kosovës u futën gabimisht në veri të vendit, pasi e kishin ngatërruar drejtimin e lëvizjes.
Në përgjigjen e dhënë për Klankosova.tv, KFOR njoftoi se komandanti i tyre [Ozkan Ulutash] ka zhvilluar bisedë me Bashkim Jasharin, për lëvizjen e gabuar të njësisë së FSK-së.
Jashari ia ka përsëritur Ulutashit se devijimi ka qenë i përkohshëm si pasojë e ‘një gabimi’.
“Kjo pikë u theksua sërish gjatë një bisede telefonike sot mes Komandantit të KFOR-it dhe Komandantit të FSK-së. Komandanti i FSK-së konfirmoi se njësia e FSK-së kishte devijuar përkohësisht nga rruga e saj për shkak të një gabimi”.
“Ne e kemi pranuar deklaratën e bërë nga Policia e Kosovës dhe nga FSK-ja, se njësia përkatëse e FSK-së kishte dalë gabimisht për disa minuta nga itinerari i saj dhe ishte kthyer menjëherë në rrugën fillestare, në jug të Kosovës”.
Nga KFOR deklaruan po ashtu se e mirëpresin “respektimin e vazhdueshëm nga ana e FSK-së të marrëveshjes së gjatë për të mos dërguar personel të FSK-së në veri të Kosovës pa njoftimin dhe miratimin paraprak të Komandantit të KFOR-it.”
Në fund u tha se ky mision është i pozicionuar mirë në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit dhe është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm në aspektin e sigurisë.
Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kishin hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjte, ku kanë qëndruar për disa minuta, bëri të ditur të enjten shefi i sektorit të informimit publik të FSK-së, Vëllazërim Qerimi. Të njëjtin version e dha edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”.
E zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha se konvoji i FSK-së kaloi rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën. Sipas Elshanit, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.