Fyerje, arrogancë, përpjekje për shantazh – disfata e parë e Faton Pecit përball Arian Tahirit

Ishte shqetësuese të shihje debatin e parë të kandidatëve për kryetar të Mitrovicës, të sinonimizuar me fyerje e ofendime personale. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci përdori taktika të frikësimit kundër rivalit të tij kryesor, Arianit Tahirit të PDK-së, të dielën në mbrëmje. Ai e kërcënoi rivalin e tij me publikim të bisedave telefonike. 

Që në nisje të debatit të parë të kandidatëve për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci e bëri të qartë taktikën e tij në këtë fushatë politike. Ajo nuk është politike. Është taktikë e forcës.

I vendosur përball rivalit të tij kryesor në garën e zgjedhjeve lokale, Arian Tahirit të PDK-së dhe Gëzim Plakollit të LDK-së, në debatin e zhvilluar të dielën me moderimin e moderatorit Leart Hoxha në ATV, Peci bërtiste me arrogancë, fyente dhe.. lëshoi një përpjekje për shantazh ndaj kundër-kandidatit Tahiri.

Në fjalën e tij të parë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dha një pasqyrë konkrete të asaj që do të shihnim gjatë gjithë debatit. Tha se qëllimi i tij parësor është siguria. Pra forca. Përmendi “shporjen e Radoiçiqit” nga veriu.

Përball tij, të dy kundër-kandidatët, prezantuan narrativa krejtësisht të ndryshme me atë të Pecit. Ato ishin të fokusuara te problemet konkrete lokale.

Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës tha se programi politik i tij mbështetet në shtatë shtylla.

“Programi bazohet në shtatë shtylla”, tha ai. Një nga shtyllat e programit të prezantuar, sipas Tahirit, është unaza e brendshme e qytetit si dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve lokale.

Pa kaluar as çereku i kohës së plotë të debatit për Mitrovicën, ministri në detyrë i Bujqësisë i vendosi sërish, me më tepër theks, në përdorim taktikat e tij të forcës dhe arrogancës.

Teksa ia ndërpreu fjalën Tahirit, Peci u lëshua në sulme personale ndaj kundër-kandidatit të tij. E pyeti ish-nënkryetarin e Komunës për gjoja lidhje të tij me një biznes që po ndërtonte në afërsi të Liqenit.

“Në ndërtimin në afërsi të liqenit dhe ndërlidhja me hartat zonale. Cila është lidhja jote me biznesin në fjalë?”, e pyeti Peci, Tahirin.

Tahiri e hodhi poshtë çfarëdo konflikti të interesit të tij me operatorë ekonomikë.

“Unë kam raporte të mira me të gjitha bizneset e qytetit të Mitrovicës”, tha Tahiri.

“Ti ke ba shkelje ligjore për shkak se pa aprovimin e hartës zonale, operatori në fjalë, AS Building ka fillu punimet dhe janë të gjitha të faktuara. Dhe, kjo është shkelje ligjore prej Komunës së Mitrovicës”, pretendoi Peci. “Dhjetë raste i ke të shkeljeve të rënda ligjore në urbanizëm dhe ndërlidhej që ke ti me ato kompani si i punësuar para se të bëhesh nënkryetar”.

Këtu erdhi momenti i parë kur Peci u demantua keq. Kompania në të cilën ai aludonte për lidhje me Tahirin, doli se kishte marrë leje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Pra, prej qeverisë ku bën pjesë edhe Peci.

“Ti je totalisht i pasaktë. Po thu që ne ia kemi dhënë lejën, por ne ia kemi refuzuar lejën”, u përgjgij Tahiri dhe paraqiti vendimin për refuzim të lejës për operatorin në fjalë.

Tahiri prezantoi një dokument tjetër që dëshmonte se lejen kompanisë AS Building ia ka dhënë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Taktikat e arrogancës së Pecit, nuk e përjashtonin asnjërin në studio. Madje, as moderatorin Leart Hoxha, të cilin ai e akuzoi se po mbante anë në debat.

“S’po di Leart pse paske marrë kaq shumë anë sot. Po dokesh prej aeroplani”, e akuzoi Peci, moderatorin Hoxha.

Pjesa e dytë e debatit shkoi në kahjen që do dëshironte Peci. Te përplasja me motive personale me Tahirin dhe shprehja e arrogancës si “njeriu i pesë [më i votuar] në nivel të Kosovës”.

Aq më shumë që fliste, aq më shumë largohej nga shpalosja e programit politik të tij – ndonëse s’u mor vesh nëse e kishte një të tillë.

I kritikuar nga Tahiri se si ministër në detyrë nuk “është marrë” me Mitrovicën, Peci u zhvesh plotësisht nga modestia.

“Unë kur merrem me qytet, nuk e lë atë në mjerim qysh e ke lënë ti! Dëshmitar i kam fermerët në Kosovë qysh ua kam ndryshu jetën. Qashtu ka me i pasë edhe në Mitrovicë. Jam i treti në listën e Vetëvendosjes, i pesti jam në nivel të Kosovës. E kam mujtë Bedri Hamzën në qytetin e Mitrovicës në zgjedhjet nacionale, qysh se ka me ju mujtë krejt bashkë më 12 tetor. Krejt bashkë ka me ju mujtë!”, tregoi arrogancën ai.

“Ti duhesh me u ndi i kënaqur që je në tavolinë me mu”, i tha pastaj Peci, Tahirit.

Peci nuk u përball as me kritikat e Tahirit për korrupsion në Ministrinë e Bujqësisë, të cilën ai e udhëhoqi për më shumë se katër vjet. Ai përdori një tjetër taktikë të ulët kundër rivalit të tij: një përpjekje shantazhi ndaj Tahirit.

Përmendi “screenshot-a” në telefon që i ka ndërmend “t’i qesë” nëse Tahiri nuk ndalej “me ofendime e fyerje” kundrejt tij.