Fyerje, akuza, shpifje, kërcënime… | Presidentja Osmani me heshtje legjitimon paligjshmërinë e Sami Kurteshit, ai vazhdon të mbetet anëtar i KQZ-së (Video)

Mjafton që një gazetar t’ia drejtojë mikrofonin për ta pyetur edhe për temat më normale të mundshme që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, të marrë “flakë”.

 

“Jeni media kriminale të vrasësve me pagesë”, iu drejtua Kurteshi gazetarës së Nacionale, e cila ishte në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve për të përcjellur rinumërimin e votave me postë, shkruan Demokracia.com.

Video e plotë: https://www.facebook.com/lajmi.net/videos/589354224071656/

 Kjo është një akuzë shumë e rëndë drejtuar një mediumi edhe para se Kurteshi ta marrë vesh se cilën media përfaqëson gazetarja në fjalë. Siç mund të shihet në video, vetëm pasi bën akuzën, Kurteshi e pyet gazetaren se nga cili medium është.

AGK-ja dënon gjuhën skandaloze, kërcënuese dhe nxitëse të anëtarit të KQZ-së, Sami Kurteshi

 Historia e shpifjeve, akuzave, kërcënimeve e fyerjeve nga Kurteshi, i cili për 5 vite ishte Avokat i Popullit, janë të shpeshta. Mbledhjet e KQZ-së rrallëherë zhvillohen në normalitet të plotë për shkak të ndëryrjeve të tij.

 Kështu ka qenë edhe kur kryesuese e këtij institucioni ishte Valdete Daka. Ajo ishte shkarkuar nga Osmani në vitin 2021 dhe në njërën nga arsyet që kishte përdorur për këtë vendim, presidentja kishte shkruar se Daka nuk po arrinte t’i menaxhonte mbledhjet e KQZ-së. Këto mbledhje nuk lejoheshin të mbaheshin nën rrethana normale pikërisht nga Kurteshi.

HESHTJA E PRESIDENTES

“Presidenti i Republikës së Kosovës: garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.

 Kështu thuhet në nenin 84, paragrafin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku listohen kompetencat e Presidentit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

 

Por, këtë detyrim kushtetues vazhdon të mos e lexojë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani po vazhdon t’i mbyllë sytë përballë degradimit të mbledhjeve në institucionin e përcaktuar me Kushtetutë, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

DEGRADIMI I MBLEDHJEVE TË KQZ-së

Mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë shndërruar në një arenë që më së paku i ngjan një institucioni normal.

Jonormaliteti në KQZ është i diktuar nga sjellja paprecedentë e Sami Kurteshit dhe anëtarit tjetër të VV-së në KQZ, Alban Krasniqit, që përfaqësojnë në këtë institucion partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Është e pamundur që ndonjë mbledhje të zhvillohet në kushte normale, pikërisht për shkak të sjelljeve dhe akuzave që Krasniqi dhe Kurteshi janë të gatshëm të bëjnë në çdo moment, për kolegët e tyre anëtarë të KQZ-së, por edhe për mediat, OJQ-të e kështu me radhë.

Edhe mbledhja e KQZ-së, e datës 6 mars 2025, ishte një mbledhje aspak normale.

Anëtarët e VV-së në KQZ, Krasniqi e Kurteshi i sulmojnë mediat dhe OJQ-të

Krasniqi dhe Kurteshi, nuk kursyen askënd në akuzat dhe ofendimet e tyre.

Krasniqi, i cili njihet gjerësisht në opinionin publik si burri i ministres, Albulena Haxhiu, ka eskaluar në këtë mbledhje, duke iu thënë kolegëe anëtarë nga opozita se janë krimi dhe duhet të marrin syze për t’i shikuar fletëvotimet.

“Merrni edhe syza nëse ju duhen, ju jeni krim. Po e mbroni një padrejtësi”, tha ai, duke akuzuar kolegët e tij që nuk mbështetën propozimin pa vendim të institucioneve përgjegjëse për të rinumëruar fletëvotimet e pavlefshme.

Edhe bashkëpartiaku i Krasniqit, Sami Kurteshi, vazhdoi gjuhën e njejtë të kolegut të tij, duke sulmuar mediat dhe OJQ-të.

Kurteshi, konfirmoi edhe personalisht se është “përzier” gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Unë jam një prej atyre që kam qenë aktiv në QNR edhe po e kam dhënë mendimin tim pikërisht në lidhje me këto fletëvotime. Natyrisht që përputhet gjuha e disa OJQ’ve që janë paterica të partive politike dhe disa mediave, po ndërhyn në proces. Ngritja e një cështje nuk është ndërhyrje në proces, është e drejtë e shprehjes së lirë dhe e reagimit sa herë mu ma merr mendja me reagu në raste kur unë mendoj ndryshe”, deklaroi Kurteshi.

Jo vetëm në mbledhjen e KQZ-së, por Krasniqi dhe Kurteshi janë shfaqur edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezutlateve duke ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në punën e pavarur të ekipeve të numërimit dhe duke iu bërë presion për të llogaritur të vlefshme edhe fletëvotimet që ishin gjysmë të printuara. / Demokracia.com /

Koordinatori i AAK’së përplaset me Sami Kurteshin, i thotë se tentoi të ndikojë në shpalljen të vlefshëm të një fletëvotimi

Presioni i zyrtarëve të VV-së mbi komisionarët dhe numëruesit e votave në QNR, presidentja Osmani “çele guri gojën”