Futbollisti italian më i kushtueshëm në treg, Bastoni rrëfen karrierën në 360 gradë

Alessandro Bastoni ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij në një intervistë për kanalin YouTube të “Rivista Undici”, duke analizuar çdo aspekt të rrugëtimit të tij. Fillimisht u ndal tek evolucioni i mënyrës së tij të lojës: “Ka qenë diçka shumë natyrale. Kam qenë tek Atalanta dhe pashë Toloin, një nga të parët që bënte këtë rol. Kam pasur fat të gjeja njerëzit e duhur në momentin e duhur. Tek Interi me Conten dhe Inzaghin automatizmat u rritën në maksimum. Ajo që më diferencon është cilësia me topin dhe zgjedhja e duhur. Trajneri ndihmon, por pastaj është lojtari që zbret në fushë. E kam si dhunti natyrale”.

A ishte e vështirë të ndryshonte mënyrën e lojës?
Varet shumë nga inteligjenca e lojtarit. Unë e konsideroj veten shumë inteligjent. Kuptoj mirë situatat në fushë. Kur ka sintoni në grup, gjithçka bëhet më e lehtë.

A e sheh veten në mesfushë në të ardhmen?
Jo, ndoshta do nis gjithmonë aty ku jam, pastaj do lëviz në zona të ndryshme.

A ka lojtarë të tjerë si Bastoni në Europë?
Prirja ofensive e mbrojtësit kërkohet prej vitesh, por jo gjithmonë funksionon. Admiroj shumë Gvardiol, edhe Calafiori po bën shumë mirë tek Arsenali, edhe pse nis si i katërti. Sot mbrojtësi duhet të krijojë diçka më shumë.

A e mendon shpesh evolucionin e rolit të mbrojtësit?
Po, por është aq natyrale sa nuk kam pasur nevojë të sforcohem të bëhem dikush që nuk jam. Nëse jam shembull për stilin e ri, më jep vetëm kënaqësi.

Ti je lojtari italian me vlerësimin më të lartë në treg. A e ke vënë re?
Janë tituj që të bëjnë qejfin, por një ditë je më i forti dhe ditën tjetër më i dobëti. Duhet ekuilibër, kjo nuk më ndryshon asgjë.

Në Itali, mbrojtësi shihet ndryshe sot…
Tani mbrojtësi bën më shumë gjëra dhe kjo i entuziazmon njerëzit. Kështu lind ambicia për t’u bërë një nga të paktët që ia kanë dalë.

Çfarë ka sjellë Gattuso?
Nuk vinim nga një periudhë e lehtë, Evropiani nuk shkoi mirë. Diferenca mes klubit dhe kombëtares është e madhe, sepse ka më pak sintoni, është normale. Më e rëndësishmja është ndjenja e përkatësisë; kemi një traditë të madhe që duhet respektuar. Gattuso ka insistuar më shumë në këto gjëra se në taktikë. Është shumë i drejtpërdrejtë dhe t’i thotë gjërat siç janë. Kjo na duhej.

Çfarë ka ndryshuar tek Interi që nga mbërritja jote?
Kur erdha isha 20 vjeç, pa staturën e liderit që kam sot. Ishte ëndërr ta vishja fanellën dhe ta shihja stemën. Sot jam unë ai që duhet të transmetoj atë që dikur më dhanë Handanoviç, D’Ambrosio e Ranocchia. Duhet të dëshmoj çfarë do të thotë Interi në Milano dhe në Itali.

A ndihmon fakti që keni shumë italianë në skuadër?
Po, shtoj edhe Mkhitaryan që është thelbësor. Është shumë inteligjent dhe i kupton lëvizjet tona. Italianët janë të rëndësishëm në Serie A. Patëm fatin t’u tregojmë të rinjve të ardhur se kush jemi dhe çfarë kërkonim prej tyre.

Çfarë i thoni Pio Espositos?
Është djalë i jashtëzakonshëm, edhe pse vetëm 20 vjeç. U gjend papritur në një botë ku rrjetet sociale dhe TV-të të ngatërrojnë. Ai është shumë i qetë. Ne e ndihmojmë, por s’ka pasur nevojë. Duhet lënë i qetë dhe do vijë momenti i tij.

Kush flet më shumë në dhomat e zhveshjes?
Lautaro flet, edhe unë e Barella flasim shumë. Lautaro është kapiteni dhe lideri ynë, por di të kërkojë ndihmë kur duhet.

Në fushë dukesh i ashpër…
Jo (qesh). Jam i vendosur kur duhet, por nuk e fus veten mes ‘të këqijve’.

Idhulli yt është Sergio Ramos…
Prej tij nuk kam marrë ndërhyrjet, por stilin e lojës dhe teknikën, sepse është në nivel jashtëzakonisht të lartë.

Kundërshtari me të cilin duhet të jesh i ashpër?
Yamal. Sezonin e kaluar, në minutën e 118-të e rrëzova me forcë sepse edhe pas kaq minutash ishte shumë i vështirë për t’u markuar. Kur duhet, duhet.

Kundërshtari më i vështirë për t’u markuar?
Do thosha pikërisht atë, Yamal.

A je ndier gjithmonë gati për ndeshjet e mëdha?
Fati im, që është edhe dhunti, është të jem gjithmonë gati. Nuk kam ndier presion, gjithmonë kam pasur gëzimin për të bërë atë që dua. Kjo më çon përpara. Gruaja dhe vajza ime që më japin lehtësinë që më duhet.

Më i zhurmshmi i skuadrës?
Barella, pa dyshim.

Më liderët?
Lautaro dhe Barella.

Ai që të bën më shumë për të qeshur?
Barella.

The post Futbollisti italian më i kushtueshëm në treg, Bastoni rrëfen karrierën në 360 gradë appeared first on Telesport.