Futbolli modern është kthyer tashmë në një “makineri” që “bluan” ndeshje pa pushim. Alarmi është dhënë disa herë nga futbollistë, mjekë sportivë dhe mbi të gjitha trajnerët. Ndër zërat më autoritarë është ai i Jürgen Klopp, ish-trajnerit të Liverpool-it, i cili prej vitesh denoncon kalendarin “çnjerëzor” të imponuar klubeve dhe kombëtareve. Orët e fundit është rikthyer alarmi i tij mbi këtë temë delikate:
“Vitin e kaluar ishte ‘Copa America’ dhe Kampionati Europian. Sivjet kemi Kupën e Botës për Klube, vitin tjetër do të jetë Botërori i kombëtareve. Kjo do të thotë se për lojtarët e përfshirë nuk ka asnjë periudhë të vërtetë rikuperimi, as fizikisht dhe as mendërisht. Sigurisht, futbollistët fitojnë shumë para, por edhe në NBA fitojnë shumë dhe kanë 4 muaj pushim në vit.
Fjala vjen, Virgil Van Dijk nuk i ka pasur asnjëherë këto pushime, në gjithë karrierën e tij… Kam frikë se lojtarët do të fillojnë të lëndohen si kurrë më parë. Nëse nuk ndodh sezonin e ardhshëm, do të ndodhë gjatë Botërorit 2026 ose menjëherë pas.
Nga lojtarët pritet që të luajnë çdo ndeshje sikur të ishte finale, kjo iu thuhet 70 ose 75 herë në vit. Nuk mund të vazhdohet kështu, është e nevojshme t’iu garantohet pushimi. Pa të, ata nuk do të mund të ofrojnë performancë optimale në afatgjatë. Nëse nuk mund ta bëjnë më këtë, i gjithë produkti humbet vlerën për ata që e shesin”.
Në vitet e fundit, kalendari ndërkombëtar është kthyer në një makth, edhe për shkak të ndryshimeve të imponuara nga pandemia. Nga viti 2021 (viti i Europianit) deri sot, janë shtuar ndjeshëm kompeticionet e UEFA-s dhe FIFA-s për kombëtaret, pa asnjë çast frymëmarrjeje, ndërkohë që edhe klubet më të mëdha kanë parë të rritet ndjeshëm ngarkesa e tyre, mes Champions-it të ri dhe Kupës së re të Botës për Klube.
A rrezikon futbolli të vetëshkatërrohet kështu? Intensiteti është në kulm, dëmtimet po shtohen, madje edhe tifozët kanë filluar të flasin për “ngopje”. O ndryshohet drejtimi, ose e ardhmja e lojës më të bukur në botë mund të shembet nën peshën e kalendarëve të paqëndrueshëm.
The post Futbolli pa frymëmarrje, Klopp parajamëron dramën e kalendarit çnjerëzor appeared first on Telesport.